Ballina Aktualitet Vjen në punë me shapka banjo…/ Ja pse e paditi prokurorja Zoto...

Vjen në punë me shapka banjo…/ Ja pse e paditi prokurorja Zoto gruan që denoncoi anëtarin e KLP, Olger Eminaj

192
0

Nga Elton Qyno

Në një kohë kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, u trondit nga pamjet seksuale që anëtari i KLP-së, Olger Eminaj, ia dërgonte nga zyra dhe i kërkonte favore seksuale një gruaje të divorcuar, në media rrodhën informacione se pikërisht gruaja që kishte denoncuar këtë skandal seksual në Drejtësinë Shqiptare, kishte kanosur, fyer apo përndjekur prokuroren e Tiranës, Rovena Zoto.
Në fakt Zoto, është prokurorja që ka marë të pandehur shtetasen R.M për akuzën e “Përndjekjes” së ish-bashkëshortit të saj. Gruaja R.M, ishte ankuar për prokuroren Rovena Zoto, tek KLP-ja e Olger Eminaj, i cili më pas kërkoi favore seksuale, lodra seksi dhe pranga për të zgjidhur çështjen.

Por teksa zhvillohej procesi gjyqësor në gjykatën e Tiranës, Rovena Zoto, ka pasur në sallën e gjyqit një debat me të pandehurën e saj, R.M. Debati në gjyq ka qënë në kushtet e normalitetit, ku të dyja palët e përfshira në gjykatë hodhën akuza të ndërsjellta në sallën e gjyqit, dukuri kjo që shihet shpesh në sallat gjyqësore në Shqipëri, ku të pandehurit u thonë ndonjë fjalë më tepër prokurorëve, edhe për çështje jashtë objektit të gjykimit.

E pandehura në këtë proces R.M, ka akuzuar prokuroren e çështjes së saj, Rovena Zoto, se kishte ardhur në seancë gjyqësore me shapka banjo dhe ishte përballë gjykatës pa pelerinën e zezë të prokurorit, e cila është detyruese për tu mbajtur në sallën e gjyqit nga prokurori, avokati dhe gjyqtari.

Ndër të tjera, e pandehura E.M, i ka përmendur prokurores emrin e babait të saj Viktor, i cili kishte ndëruar jetë dhe për pasojë prokurorja, thotë se ishte ndjerë e fyer dhe e turpëruar ndaj ishte paraqitur në ambjentet e komisariatit Nr.3 në Tiranë, duke bërë kallëzim penal, 1 ditë pas debatit në gjykatë.
Kallëzimi i prokurores Zoto, është bërë në 24 shtator 2024 përpara oficerit të Policisë Gjyqësore, Lavdrim Moda, i cili ka trajtuar procedurialisht këtë çështje.

Pasi ka administruar dëshminë e Rovena Zotos, oficeri Moda ka çuar informacionin në prokurorinë e Tiranës, duke sugjeruar ndjekjen penale ndaj shtetases R.M, për akuzën “Fyerjes së gjyqtarit dhe prokurorit”.
Në dokumentat e siguruara nga gazetari Elton Qyno, rezulton se Rovena Zoto tregon detaje mbi konfliktin që ka pasur në sallën e gjyqit me R.M.

“…që në seancat paraprake që janë zhvilluar me gjyatere Marinela Osmani, e pandehura më ka akuzuar padrejtësisht se ngritja e akuzës ndaj saj është bërë e qëllimshme, për ti ardhur në ndihmë palës kallëzuese. Nuk i kam kushtuar rëndësi duke qënë se pretendime të tilla janë rutinë në punën tonë e për më tepër nuk qëndrojnë. Pasi çështja u dërgua për giykim pranë gjyqtare Marçela Shehu, ajo me format e saj intimiduese çoftë ndaj meje dhe gjykatës, me konkrëtisht sot më datën 23 shtator 2024 rreth orës 13:30 ndërkohë isha në seancë gjyqësore për këtë çështje dhe po pyetej dëshmitari Sejko Asllani, e pandehura ishte në sallë, ngrihet dhe më thotë që akuzën prokurorja e ka bërë në bashkëpunim me dëshmitarin dhe ndërkohë thekson faktin se unë jam e bija Viktorit në kushtet ku babai im ka ndërruar jetë u lëndova nga përmendja…”-ka treguar në dëshminë e saj prokurorja Rovena Zoto.

Më tej Rovena Zoto ka treguar në dëshminë e saj dhënë në polici se: “…e pandehura R.M, jo vetëm që nuk u ndalua por vijoj duke thënë fialë të tjera ndaj meje, se vij në punë me shapka banjo…”.
Sipas Zotos, përveç ditës së debatit në gjyq, kjo shtetase ka bërë shkrime në rrjetet sociale tek faqia e shkollës se magjistraturës ku thotë se unë jam arrogante dhe duke shpifur gjëra ndaj meje, gjëra që nuk ekzistojnë.
“…me një letër drejtuar drejtuesit të prokurorisë kjo shtetase ka përdorur fjalë fyese dhe denigruese ndaj figurës time dhe njëkohesisht ka shpifur rrethana dhe fakte që nuk qëndrojnë, po kështu në këtë letër kjo shtetase jep detaje mbi prejardhjen time se vajza e kujt jam duke nënkuptuar se ka bërë kërkime rreth personit tim. Të gjitha këto janë forma intimidimi dhe kanosje, që unë të detyrohesha të heq dorë nga çështja e kësaj të pandehure. Duke qënë se sjellja e saj fyese, denigruese e kanosje është e përsëritur, më ka shkaktuar gjëndje ankthi dhe frike për vete dhe familjarët e mi…”-ka treguar prokurorja Rovena Zoto.

Si provë për këtë kallëzim Zoto, i ka dorëzuar oficerit të çështjes një kopje të letrës që R.M, ia kishte dërguar drejtuesit të prokurorisë.
Njëherësh pas këtij kallëzimi penal të bërë nga prokurorja e Tiranës, Rovena Zoto, ndaj shtetases R.M, policia ka shoqëruar dhe marë në pyetje të kallëzuarën.

Shtetësja R.M, ka deklaruar para oficerit të policisë se nuk e ka përndjekur, fyer apo kanosur prokuroren e saj, Rovena Zoto.
“…jo nuk e kam kërcënuar dhe as fyer prokuroren Rovena Zoto. Gjatë seancës gjyqësore, i kam kërkuar zonjës Gjyqtare të zbatojë kodin e etikës duke e pezulluar seancën pasi prokurorja Rovena Zoto ishte e pranishme në seancën gjyqësore, pa pelerine dhe me shapka banjo. Gjithashtu i kam kërkuar gjykatës që për këtë shkelje të kodit të etikës, ta veri në dijeni kryeprokurorin e Tiranës. Prokurores i jam drejtuar në shenjë respekti në emër atësi dhe mbiemer të plotë…”-ka treguar shtetësja R.M.
Sipas saj, nuk ka patur asnjë sharje, asnjë ofendin dhe asnjë kërcënim, për këtë gruaja R.M ka kërkuar të merret regjistrimi audio dhe vidio e seancës së datës 23 shtator 2024.

“…nuk i kam shkuar kurrë prokurores, as në zyrë as në shtëpi, as nuk e kam takuar kurrë atë. Perballjen ligiore me atë e bëj vetëm në seancë giyqësore në të cilën kam kërkuar të jetë me audio dhe vidio…”-ka treguar në polici gruaja që denoncoi skandalin seksual që tronditi Këshillin e Lartë të Prokurorisë./syri