Ballina Ekonomia Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë në 2.5% mes pasigurive...

Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë në 2.5% mes pasigurive globale

79
0

Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar në 2.5 për qind koston e lekut, një masë të cilën Këshilli Mbiqkyrës e gjykoi më të përshtatshmen në këto kohë pasigurish të rritura. Në deklaratën pas mbledhjes së Këshillit, Guvernatori Gent Sejko paralajmëroi se lufta në Iran është një rrezik potencialisht ekstrem për ekonominë shqiptare.

“Konflikti ushtarak dhe tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme janë një burim ekstrem rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Ky konflikt ka sjellë një rritje të shpejtë e të fortë të çmimit të naftës dhe të produkteve të tjera energjitike në tregjet botërore. Kohëzgjatja, intensiteti dhe kanalet indirekte të transmetimit të kësaj goditjeje në ekonominë shqiptare janë të vështira për tu vlerësuar me një shkallë të pranueshme sigurie,” tha kreu i Bankës Qëndrore.

Shqipëria ka filluar ndërkohë të përballet me efektet e menjëhershme të konfliktit ushtarak në Lindjen e Mesme, teksa çmimi i naftës është rritur në nivele rekord, ndërsa inputet bujqësore janë shtrenjtuar me një ritëm të paprecedentë duke amplifikuar frikën për një dallgë të re inflacioniste. Sejko tha se nëse konflikti zgjat, pasojat e tij mbi ekonominë shqiptare do të jenë serioze.

“Zgjatja në kohë dhe rritja e intensitetit të këtij konflikti, mund ta shndërrojnë atë në një goditje serioze oferte, të krahasueshme me atë që pasoi fillimin e luftës në Ukrainë gjatë vitit 2022. Në ngjashmëri me këtë episod, kjo goditje do të kishte pasoja negative në inflacion dhe në rritjen ekonomike të vendit në të ardhmen,” shtoi guvernatori.

Ashtu si bankat qëndrore kudo në botë, Banka e Shqipërisë gjykon se mbajtja e pandryshuar e politikës monetare mundëson më shumë kohë për monitorimin e ecurisë së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe për vlerësimin e impaktit të tyre në vend.

Por Sejko tha se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës do monitorojë me kujdes e në vazhdimësi situatën dhe bazuar në zhvillimet e situatës, ai mbetet i gatshëm të reagojë në kohën, kahun dhe me forcën e duhur, ndaj çdo rreziku material mbi stabilitetin e çmimeve.