Ballina Ekonomia Kostoja e kredisë prek çmimet, 1 në 4 biznese huamarrëse i rriti...

Kostoja e kredisë prek çmimet, 1 në 4 biznese huamarrëse i rriti produktet

59
0

Bizneset huamarrëse në Shqipëri po i përballojnë kostot e kredisë kryesisht duke ulur shpenzimet e tjera, ndërsa një pjesë e tyre kanë zgjedhur të rrisin çmimet e produkteve ose të përdorin rezervat.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë për gjendjen financiare dhe huamarrjen e ndërmarrjeve në gjashtëmujorin e dytë 2025, për të përballuar kostot e shërbimit të huasë, 47% e ndërmarrjeve janë mbështetur te ulja e shpenzimeve të tjera. Kjo është forma më e përdorur nga bizneset për të përballuar pagesën e kredisë.

Ndërsa një pjesë e ndërmarrjeve kanë rishikuar çmimet. Sipas Bankës së Shqipërisë, 24% e ndërmarrjeve huamarrëse deklarojnë se kanë përdorur rritjen e çmimeve të produkteve si mënyrë për të përballuar koston e huasë. Po aq, 24%, kanë përdorur rezervat e tyre.

Këto të dhëna tregojnë se kostoja e kredisë nuk mbetet vetëm një çështje financiare për bilancet e bizneseve, por mund të ketë ndikim edhe te çmimet dhe te mënyra si ndërmarrjet organizojnë shpenzimet e tyre. Kur bizneset ulin shpenzime të tjera, kjo mund të nënkuptojë shtyrje investimesh, kufizim të kostove operative apo ulje të hapësirës për zgjerim. Kur zgjedhin rritjen e çmimeve, një pjesë e kostos mund të përcillet te konsumatori.

Megjithatë, vrojtimi tregon se për shumicën e ndërmarrjeve, pagesa e huasë nuk ka ndryshuar gjatë periudhës. Rreth 84% e ndërmarrjeve raportojnë se pagesa e huasë ka mbetur e pandryshuar, ndërsa pjesa tjetër, në agregat, deklaron zbutje të këtij shpenzimi.

Për bizneset që kanë raportuar rritje të pagesës së huasë, arsyeja kryesore lidhet me normat e interesit. Në këtë grup, rreth 65% deklarojnë se rritja e pagesës ka ardhur nga rritja e normave të interesit të huave, ndërsa pjesa tjetër përmend rënien e të ardhurave nga veprimtaria dhe shtimin e kërkesave nga huadhënësi.

Në të njëjtën kohë, barra e pagesës së huasë mbetet e menaxhueshme për pjesën më të madhe të ndërmarrjeve. Rreth 73% deklarojnë se pagesa e huasë arrin deri në 20% të të ardhurave. Por presioni është më i lartë te ndërmarrjet e mesme, ku 34% raportojnë se pagesa e huasë tejkalon 20% të të ardhurave. Kjo peshë është rritur me 7 pikë përqindje gjatë periudhës dhe me 12 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

Në këtë kuptim, vrojtimi nxjerr në pah një kanal të rëndësishëm të transmetimit të kostove financiare në ekonomi. Edhe kur shumica e bizneseve nuk raportojnë rritje të pagesës së huasë, mënyra si ato përballojnë koston e kredisë tregon se një pjesë e presionit po përthithet përmes uljes së shpenzimeve, përdorimit të rezervave ose rritjes së çmimeve./ekofin.al