Prej kohësh, në portin e Durrësit nuk kapet asnjë substancë narkotike, edhe pse raportet ndërkombëtare e cilësojnë atë si qendër kryesore të trafikut të kokainës dhe drogave të tjera.
Por problemi i portit të Durrësit u shfaq gjatë një interviste të Edi Ramës me revistën e njohur franceze ‘Le Point’.
Gjatë kësaj interviste, gazetarja franceze tha se BE është e shqetësuar se Shqipëria nuk po e lufton sa duhet korrupsionin dhe pastrimin e parave.
Ndërkohë ajo mori si shembull portin e Durrësit, duke theksuar se është një qendër e madhe e pastrimit të parave në qiell të hapur.
Pastrimi i parave “në qiell të hapur” ndodh kur paratë e fituara nga aktiviteti kriminal, si droga, kontrabanda apo korrupsioni, shndërrohen në para të ligjshme pa përpjekje serioze për t’i fshehur. Kjo mund të ndodhë në portet, tregjet ose biznese të dukshme, ku aktiviteti kriminal dhe ai ligjor ndërthuren, dhe askush nuk kontrollon seriozisht transaksionet.
Anne Nivat: Zyrtarët evropianë besojnë se vendi juaj nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar pastrimin e parave dhe korrupsionin. Porti i Durrësit, qyteti i dytë më i madh në vendin tuaj, konsiderohet posaçërisht si një qendër e madhe e pastrimit të parave në qiell të hapur. Cili është reagimi juaj ndaj kësaj?
Edi Rama: Këto lloj pretendimesh të pabazuara, të paraqitura si të vërteta, janë një sëmundje e botës sonë. Durrësi është qyteti i dytë më i madh në vend, por porti i tij nuk është një qendër e madhe e pastrimit të parave në qiell të hapur në vetvete. Problemet në Durrës janë shumë më pak të rëndësishme se gjetkë. A nuk ka probleme të ngjashme në Marsejë, Roterdam, Anversë apo Barcelonë?







