Informaliteti vijon të mbetet një nga plagët më të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare, pavarësisht ndërhyrjeve të viteve të fundit. Sipas anketës së vitit 2025 të Këshillit të Investimeve, rreth 7 në 10 kompani deklarojnë se informaliteti është i pranishëm në treg, një tregues që ka mbetur pothuajse i pandryshuar që nga viti 2017.
Të dhënat për konkurrencën informale tregon se perceptimi është edhe më i fortë: nga 64% në vitin 2018, niveli është rritur në 77% në vitin 2019, ka qëndruar në 73% në 2024 dhe rikthehet në 77% në 2025. Këto shifra tregojnë një stabilizim të fenomenit në nivele shumë të larta.
Sa i përket natyrës së informalitetit, shmangia e taksave dhe puna në të zezë dominojnë prej vitesh. Në vitin 2019, shmangia e taksave arrinte në 84% si fenomen i perceptuar, ndërsa në 2025 ka rënë në rreth 51%, por mbetet forma kryesore. Edhe puna në të zezë mbetet e përhapur, ndërsa korrupsioni dhe mosregjistrimi i aktiviteteve vijojnë të jenë komponentë të rëndësishëm.
Bizneset vazhdojnë të identifikojnë konkurrencën e pandershme dhe korrupsionin si dy faktorët kryesorë që nxisin informalitetin, duke krijuar një mjedis ku konkurrenca reale mbetet e deformuar.
Në vitin 2022 dhe 2024, ndikimi i faktorëve si barra fiskale në nivel qendror dhe vendor, si dhe zbatimi në praktikë i legjislacionit tatimor, qëndron në intervalin 60–70%, duke reflektuar një presion të fortë fiskal mbi bizneset. Ndërkohë, në vitin 2024 vihet re një rritje e ndjeshme e ndikimit të konkurrencës së pandershme dhe korrupsionit, që arrijnë respektivisht rreth 74% dhe mbi 70%, duke u shndërruar në faktorët dominues që shtyjnë bizneset drejt aktivitetit informal.
Në vitin 2025, pesha e këtyre dy faktorëve bëhet edhe më e theksuar: konkurrenca e pandershme arrin në rreth 76%, ndërsa korrupsioni në rreth 71%, duke u renditur qartë si ndikimet kryesore. Në të kundërt, faktorë si kompleksiteti i legjislacionit tatimor, kontrollet tatimore apo marrëdhëniet me administratën mbeten në nivele më të ulëta, kryesisht në intervalin 50–60%.
Të dhënat tregojnë një zhvendosje të problemit nga aspektet teknike dhe fiskale drejt deformimeve strukturore të tregut, ku konkurrenca jo e ndershme dhe korrupsioni perceptohen si arsyet kryesore që nxisin informalitetin në ekonomi./ekofin.al







