Ballina Aktualitet Dyshime për grup kriminal dhe implikim të personave me imunitet/ Prokuroria e...

Dyshime për grup kriminal dhe implikim të personave me imunitet/ Prokuroria e Durrësit përcjell në SPAK dosjen e vjedhjes së milionave në filialin e Postës

41
0

Dosja e vjedhjes së miliona lekëve të filialit të Postës së Durrësit përfundon në duart e SPAK. Prokuroria e Durrësit mësohet se ka shpallur moskompetencën dhe ka përcjellë pak ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme dosjen penale ndaj ish-drejtoreshës së Postës, Elisabeta Mataj, dhe dy ish-vartësve të saj, pasi ka dyshime se ndodhet përpara një grupi të strukturuar kriminal dhe përfshirjes së ish-zyrtarëve të lartë që sot janë të veshur me imunitet parlamentar.

Elisabeta Mataj është ish-drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, u arrestua në korrik të këtij viti së bashku me ish-shefen e financës, Valbona Duni, dhe arkëtaren Paola Dana.

Ato dyshohen për abuzim financiar dhe përvetësimin e rreth 700 mijë eurove të destinuara për pensionet dhe ndihmën ekonomike. Por skema e vjedhjes së parave dyshohet të jetë më e gjerë dhe e shtrirë në kohë, çka ka bindur Prokurorinë e Durrësit se mund të gjendet përpara një grupi të strukturuar kriminal.