Ballina Aktualitet Të gjitha vezët e buxhetit në një shportë që rrjedh

Të gjitha vezët e buxhetit në një shportë që rrjedh

31
0

Kur shteti është klienti më i madh në ekonomi, mënyra se si ai blen përcakton shëndetin e të gjithë tregut. Në Shqipëri, ky klient gjigand ka vendosur të mbyllë qindra zyra të vogla blerjesh dhe t’ia dorëzojë çelësat e kasafortës një super-agjencie të vetme, Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, duke premtuar se këtë herë llogaritë do t’i bëjë një ministër virtual.

Pak shtete në Europë guxojnë t’i vendosin të gjitha vezët e buxhetit publik në një shportë të vetme, e aq më pak kur ajo shportë ka nisur të rrjedhë. Megjithatë, kjo është pikërisht rruga që ka zgjedhur qeveria shqiptare për të reformuar mënyrën se si shteti shpenzon paratë e taksapaguesve: duke shkrirë kërkesat e qindra institucioneve në një sportel të vetëm, të mbikëqyrur nga kodi kompjuterik.

Gjatë prezantimit të modelit të ri, kryeministri Rama dhe ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, shpallën një vizion ku teknologjia dhe centralizimi shkrihen bashkë. Operatori i Blerjeve të Përqendruara, dikur një strukturë modestisht e fokusuar te artikujt e zyrës, pritet të menaxhojë në vitin 2027 rreth 179 investime me vlerë 63 miliardë lekë (rreth 695 milionë euro).

Duke e krahasuar me totalin e 109 miliardë lekëve të prokuruara në gjithë vendin gjatë vitit 2025, kjo do të thotë se afro 58 për qind e vlerës monetare të kontratave publike po përqendrohet në një dorë të vetme.

Për të zbutur frikën e burokracisë dhe subjektivizmit, qeveria ka hedhur në lojë “Diellën”, një sistem të inteligjencës artificiale që premton të automatizojë gjithçka, nga llogaritja e fondeve limit deri te verifikimi i dokumenteve në mbi 40 regjistra shtetërorë. Asnjë biznes nuk do të mbledhë më letra, premton kryeministri, ndërsa standardet e Bashkimit Europian do të përmbushen me shpejtësinë e një algoritmi.

Por ndërsa në konferencat qeveritare flitet për algoritme të pagabueshme, në terren realiteti i centralizimit po ngjan më shumë me një arterie të bllokuar sesa me një autostradë digjitale.

Vezët në një shportë
Centralizimi ka një rrezik të lindur. Kur një institucion i shpërndarë dështon, pasoja është lokale; kur dështon një monopol shtetëror, paralizohet i gjithë sistemi.

Gjatë vjeshtës së vitit 2026, OBP-ja, nën drejtimin e Jonaid Myzyrit, është kthyer në epiqendrën e një krize që po prek shërbimet jetike. Pjesa më e madhe e prokurimeve të këtij institucioni janë të bllokuara në një spirale ankimimesh, anullimesh, por edhe intrigash brenda institucionit duke zvarritur prokurimet me rëndësi jetike.

Kostoja e këtij ngërçi nuk është thjesht burokratike. Për shkak të tenderave të rishpallur katër herë radhazi për materialet e konsumit mjekësor, spitalet publike në Tiranë u gjendën pa age për biopsi, duke vonuar diagnozat për pacientët me sëmundje malinje.

Në Fier, Spitali Memorial u detyrua të pezullojë ndërhyrjet kirurgjikale për mungesë pajisjesh. Të zhveshur nga e drejta ligjore për të blerë vetë, drejtorët e spitaleve janë kthyer në spektatorë të pafuqishëm të një ping-pongu shkresash që zgjat me muaj.

Edhe më shqetësuese sesa vonesat janë akuzat për mënyrën se si funksionon vendimmarrja brenda këtij super-institucioni. Investigimet e mediave ekonomike tregojnë një model ku komisionet e vlerësimit shpallin fillimisht fituese ofertat më të ulëta, për t’i parë ato të përmbysen në shkallën e dytë të ankimimit brenda po të njëjtit institucion.

Njëkohësisht, furnitorët e pajisjeve mjekësore denoncojnë se specifikimet teknike kopjohen nga katalogë të caktuar kinezë për të skualifikuar prodhuesit perëndimorë.

Këtu qëndron edhe paradoksi i reformës së paralajmëruar për vitin 2027. Qeveria po përpiqet të zgjidhë një problem të qeverisjes dhe integritetit me një mjet teknologjik.

Ministrja Ibrahimaj e pranoi vetë se, sado e sofistikuar të jetë inteligjenca artificiale në përllogaritjen e shifrave, “vendimmarrja do të mbetet njerëzore”. Por pikërisht aty ku firmos dora e njeriut — në hartimin e kritereve përjashtuese dhe në komisionet e ankimimit — po ndodhin devijimet më të kushtueshme.

Për më tepër, përqendrimi i 63 miliardë lekëve në kontrata të mëdha e të konsoliduara rrezikon të prodhojë efektin e kundërt me atë të premtuar për tregun. Në vend që të hapë dyert për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, bashkimi i tenderave në paketa gjigante zakonisht u përshtatet vetëm një grushti oligopolësh që kanë kapacitetin financiar për t’i përballuar.

Asnjë algoritëm nuk mund të korrigjojë një arkitekturë institucionale që ka defekte në kontrollet dhe balancat e saj. Për sa kohë që monopoli i blerjeve nuk shoqërohet me llogaridhënie të rreptë dhe transparencë të vërtetë në fazën e ankimimit, vendosja e të gjithë tenderave të shtetit në një dorë të vetme rrezikon ta bëjë abuzimin thjesht më të centralizuar dhe më efikas./Kapital