Ballina Sport Japonia zyrtarizon kandidaturën e Kozo Tashimës për president të FIFA-s

Japonia zyrtarizon kandidaturën e Kozo Tashimës për president të FIFA-s

28
0

Federata Japoneze e Futbollit (JFA) ka dorëzuar zyrtarisht kandidaturën Kozo Tashima për postin e presidentit të FIFA-s, njoftoi të mërkurën institucioni japonez.

JFA bëri të ditur se të martën i kishte dërguar një letër FIFA-s, pasi bordi drejtues kishte miratuar unanimisht kandidaturën e Tashimës në mbledhjen e 5 nëntorit.

68-vjeçari, i cili ishte president i Federatës Japoneze të Futbollit nga viti 2016 deri në vitin 2024, ka siguruar mbështetjen e pesë federatave kombëtare, duke përmbushur kështu kërkesën minimale për të hyrë në garën zgjedhore.

Tani FIFA do të shqyrtojë nëse Tashima dhe kandidatët e tjerë i plotësojnë kriteret përpara se të publikojë zyrtarisht listën e kandidatëve të miratuar.

Tashima falënderoi presidentin e JFA-së, Tsuneyasu Miyamoto, bordin drejtues të federatës dhe federatat kombëtare që mbështetën kandidaturën e tij.

Ai deklaroi se zhvillimi i futbollit japonez dhe rritja e reputacionit të tij në arenën ndërkombëtare kanë ndikuar në mbështetjen që ka marrë kandidatura e tij.

Tashima premtoi se do të angazhohet për forcimin e qeverisjes dhe transparencës në FIFA, duke u mbështetur në përvojën e Japonisë në administrimin e futbollit.

“Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë përvojë për të promovuar qeverisje më të fortë dhe menaxhim më transparent organizativ në FIFA”, deklaroi ai.

Zgjedhjet për president të FIFA-s janë caktuar për 18 mars 2027, në Kongresin e 77-të të FIFA-s, i cili do të mbahet në Rabat të Marokut.

Përfaqësuesit e 211 federatave anëtare do të votojnë për zgjedhjen e presidentit të ri të institucionit më të lartë të futbollit botëror.

Tashima synon të sfidojë presidentin aktual Gianni Infantino, i cili e drejton FIFA-n që nga viti 2016.
Në mesin e kandidatëve të tjerë të deklaruar janë edhe presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, si dhe ish-kapiteni i kombëtares së Zvicrës, Ramon Vega.