Ballina Ekonomia 14 mijë mjete të reja vetëm në shkurt/ Shqiptarët ‘çmenden’ pas makinave,...

14 mijë mjete të reja vetëm në shkurt/ Shqiptarët ‘çmenden’ pas makinave, rritje rekord

90
0

Tregu i automjeteve në vend po reflekton një rritje të qëndrueshme si në numër, ashtu edhe në diversitetin e mjeteve që qarkullojnë në rrugët shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, gjatë muajit shkurt 2026 është vërejtur një prani gjithnjë e më e gjerë e automjeteve që vijnë nga disa prej shteteve më të fuqishme prodhuese në botë.

Në këtë panoramë të tregut, vendin kryesor e zë Republika e Koresë, e cila përbën 24.8% të totalit të mjeteve të regjistruara për këtë periudhë. Kina renditet e dyta me 15.9%, ndërkohë Gjermania dhe Italia vijojnë të mbajnë një peshë të rëndësishme në treg, përkatësisht me 13.7% dhe 12.8%.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqësojnë 7.6% të mjeteve të regjistruara, ndërsa Zvicra kontribuon me 7.2%, duke kompletuar kështu hartën e një tregu gjithnjë e më të larmishëm.

Përtej diversitetit, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rugor, vihet re një rritje e ndjeshme e numrit të mjeteve te regjistruara për herë të parë, ku gjatë muajit shkurt 2026 janë regjistruar 14.201 mjete, një shifër që përfaqëson një rritje prej 72% krahasuar me vitin 2019. Kjo rritje e konsiderueshme tregon interesin e qytetarëve për të blerë mjete të reja apo më bashkëkohore.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, nga totali i mjeteve të regjistruara, 11.578 janë autovetura, që përbëjnë 81.5% të totalit. Kjo do të thotë se automjetet për përdorim personal vijojnë të dominojnë tregun, duke reflektuar nevojat e përditshme për lëvizje dhe komoditet.

Këto zhvillime dëshmojnë për një treg automjetesh në zgjerim dhe në modernizim të vazhdueshëm.