Shqipëria vijon të mbetet destinacion i preferuar turistik, konfirmuar kjo edhe nga shifrat gjithnjë në rritje të vizitorëve.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se, vendi ynë, gjatë muajit mars, mirëpriti 609,363 vizitorë të huaj, një rritje prej +59,598 turistësh krahasuar me marsin e vitit 2025, ose rreth 11% më shumë.
“Në një kohë sfidash globale, Shqipëria po spikat si një alternativë e sigurt dhe gjithnjë e më tërheqëse për turizmin gjithëvjetor. Nga natyra te trashëgimia kulturore, mikpritja, kulinaria dhe jeta artistike, oferta turistike shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e botës”, u shpreh ministri Gonxhja.
Jo vetëm marsi, por në të tre muajt e parë të vitit është regjistruar rritje e numrit të turistëve, të biletave për vizita në parqet kulturore historike, zonat e mbrojtura dhe kalatë. Ndërkohë që synimi kryesor mbetet arritja e një turizmi gjithëvjetor, duke ofruar diversitet të lartë në turizmin natyror, kulturor, historik, aventurë, traditë, kulinari e më gjerë.







