Ballina Politika Këlliçi ‘godet’ Ramën: Pas Ballukut shpall të paprekshëm dhe Taulant Ballën

Këlliçi ‘godet’ Ramën: Pas Ballukut shpall të paprekshëm dhe Taulant Ballën

64
0

Deputeti demokrat, Belind Këlliçi, ka akuzuar kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, si përgjegjës kryesor për tensionet dhe konfliktet e vazhdueshme në Kuvend.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Këlliçi shprehet se Balla është në mënyrë permanente pas çdo tensioni, duke shtuar se provokimi i opozitës është një rol i besuar nga Edi Rama.

Sipas tij, Balla ka shkelur rregulloren dhe etikën parlamentare, duke ofenduar dhe kërcënuar deputetët e opozitës në mënyrë të vazhdueshme. Këlliçi pretendon gjithashtu se ndaj Ballës nuk merren masa disiplinore, ndryshe nga deputetët e PD që, sipas tij, ndëshkohen sistematikisht.

Këlliçi akuzon më tej se Balla gëzon paprekshmëri ligjore dhe e lidh atë me çështje që, sipas tij, duhet të ishin objekt hetimi nga SPAK.

“Taulant Balla është në mënyrë permanente pas çdo tensioni e konflikti në Kuvend. Ai e ka këtë detyrën kryesore, pastaj vijnë të tjerat si kryetar grupi i PS. Provokimi i Opozitës është mesa duket roli që i ka besuar Edi Rama dhe Taulant Balla po e kryen me zell të veçantë. Në kundërshtim me çdo normë, parim, traditë dhe në shkelje të hapur të rregullores dhe etikës, ai fyen dhe shantazhon deputetët e PD në çdo seancë. Ashtu si edhe me Belinda Ballukun pak javë më parë, edhe në këtë rast, Edi Rama ka vendosur ta shpallë Ballën të paprekshëm.
Teksa ai është përgjegjësi për prishjen e parlamentarizmit dhe kjo është e provuar dhe lehtësisht e verifikueshme, asnjëherë nuk merren masa ndaj tij. Nxitësi i tensioneve shpërblehet vazhdimisht. Kukullat e Ramës në kuvend vendosin sistematikisht ndëshkimin e opozitarëve. Dhe ka vetëm falje për Taulant Ballën. Ai është mbi ligjin, mbi rregulloren dhe mbi parlamentarizmin. Pak javë më parë, ai ofendoi me gjuhë banditi zonjën Albana Vokshi. Këshilli i Rregullores ndëshkoi deputetët e PD që reaguan. Siç reagoi në fakt edhe EPP Ëomen në Bruksel.

Dhe në seancën e fundit, ishte ai që krijoi sërish të gjithë tensionin. Sërish, përjashtohen përfaqësuesit e Opozitës. I rrihen shpatullat Taulant Ballës. Përveç gardistit personal, tanimë masha e Edi Ramës ka dhe paprekshmëri ligjore, pasi asnjë normë nuk vepron mbi të.

Këtu ka përfunduar republika jonë. Do të mjaftonte për të sjellë ndërmend se sa faqe përgjime ka për këtë qënie në SPAK, biseda, kontakte, pakte e marrëveshje me krimin e organizuar, që ai të mos ishte fare në atë aulë. Por me Edi Ramën bëma si këto, janë cv e pasur që të sigurojnë karrierë e promovim. Shpallja e Ballës si i paprekshëm, është një tjetër sfidë që kryeministri më i korruptuar në kontinent i bën shoqërisë dhe shqiptarëve. Qytetarët janë në të drejtën e tyre të mos pranojnë padrejtësi e pabarazi si këto. Bashkohemi në shesh me 17 prill, t’i tregojmë vendin të paprekshmëve të korruptuar e të lidhur me krimin”- shprehet Këlliçi ndër të tjera.