Ballina Dossier “Jam ish-partizan dhe po vdes në Burrel”: Letra tronditëse e vitit 1967...

“Jam ish-partizan dhe po vdes në Burrel”: Letra tronditëse e vitit 1967 për Enver Hoxhën që mbeti pa përgjigje

67
0

Një letër e vitit 1967, e shkruar nga brenda burgut të Burrelit, zbulon dramën e një ish-partizani të dënuar nga vetë regjimi për të cilin kishte luftuar.

Autori i saj është Patriot Xhelo, i dënuar me 12 vjet burg për “tradhti ndaj atdheut”. Në letrën drejtuar Enver Hoxhës, ai përshkruan gjendjen e rëndë shëndetësore dhe kërkon vetëm një gjë: të dërgohet për kurim.

Në dokument, Xhelo shkruan se vuan nga tuberkulozi (TBC), se është operuar në stomak dhe se vazhdon të përkeqësohet në kushtet e burgut të Burrelit. Ai thekson se prej vitesh kërkesat e tij për trajtim mjekësor nuk janë marrë parasysh.

“I nderuar shoku Enver, jam ish-partizan… i dënuar me 12 vjet burg. Jam shumë i sëmurë, me TBC dhe i operuar në stomak. Ju lutem të më dërgoni për kurim, pasi gjendja ime po rëndohet çdo ditë”, shkruan ai në letër.

Në rrëfimin e tij, ish-luftëtari i Luftës Nacional-Çlirimtare përshkruan edhe gjendjen e dëshpëruar psikologjike, duke thënë se ndodhet në kufijtë e mbijetesës dhe se nuk kupton pse kërkesa e tij për ndihmë është injoruar.

Letra është një dëshmi e rrallë e dramës që përjetuan shumë ish-partizanë që, pas luftës, përfunduan në burgjet politike të regjimit komunist. Në vend që të trajtohej si veteran i luftës, Patriot Xhelo u la të vuante në një nga burgjet më të ashpra të Shqipërisë.

Dokumenti hedh dritë mbi një paradoks të kohës: njerëz që kishin luftuar për regjimin përfundonin të dënuar prej tij, ndërsa kërkesat për trajtim mjekësor shpesh mbeteshin pa përgjigje.