Federata Braziliane e Futbollit (CBF) është shumë pranë zyrtarizimit të një marrëveshjeje historike me Carlo Ancelottin, duke e zgjatur qëndrimin e tij në krye të pesëfishtë kampionëve të botës deri në Botërorin e vitit 2030.
Sipas raportimeve nga Foot Africa, palët kanë arritur pajtim të plotë për pikat kryesore të kontratës dhe pritet vetëm firma formale e teknikut italian.
Aktualisht, Ancelotti ndodhet në Kanada, andaj nënshkrimi pritet të bëhet në mënyrë elektronike gjatë ditëve të ardhshme, duke konfirmuar vazhdimësinë e projektit sportiv që synon rikthimin e Brazilit në majat e futbollit botëror.
Përveç kohëzgjatjes, kjo marrëveshje shënon edhe thyerjen e rekordeve financiare, pasi “Carlitto” do të mbajë një pagë vjetore prej rreth 10 milionë eurosh, shifra më e lartë e paguar ndonjëherë për një trajner të kombëtares braziliane.
Kontrata është e strukturuar në dy faza: dy vite fillestare të garantuara, të cilat pasohen nga një zgjatje automatike edhe për dy vite të tjera.
Ky investim i madh nga ana e CBF-së tregon besimin absolut te trajneri italian për të rindërtuar një skuadër pretendente, me sytë e drejtuar te suksesi i madh i vitit 2030.







