Ballina Sport Neymar u operua fshehtas për ta bindur Ancelottin që ta marrë në...

Neymar u operua fshehtas për ta bindur Ancelottin që ta marrë në Botëror

86
0

Neymar nuk dëshiron assesi të mungojë në Kupën e Botës 2026.

Ylli brazilian ka treguar se është i gatshëm të bëjë gjithçka për ta siguruar një vend në listën e Carlo Ancelottit për ekipin kombëtar brazilian dhe, duke përfituar nga dy ndeshjet miqësore për të cilat nuk u grumbullua, ai iu nënshtrua një operacioni në gju.

Sulmuesi i Santosit e mori një vendim kyç për të ardhmen e tij sportive dhe e kreu një operacion rigjenerues për ta përshpejtuar rikuperimin dhe për t’u rikthyer në formën më të mirë fizike, duke i dërguar një mesazh të qartë “Carlettos”: dëshiron të luajë në Botërorin e tij të katërt.

Sulmuesi 34-vjeçar kishte vendosur tashmë t’i nënshtrohej një operacioni në gju pas sezonit të kaluar në Brasileirao, por këtë herë ai ka hyrë sërish në sallën e operacionit për ta kryer një trajtim rigjenerues me plazmë të pasur me trombocite, me qëllim forcimin e indeve të nyjës.

Duke përfituar nga ndeshjet miqësore kundër Francës dhe Kroacisë më 26 dhe 31 mars, ylli i Santosit e planifikoi strategjikisht operacionin për të mos ndërhyrë në kalendarin e klubit dhe, njëkohësisht, për të fituar kohë të vlefshme në garën kundër kohës përpara turneut më të madh të futbollit.

Kjo ndërhyrje u konfirmua nga trajneri i Santos, Cuca, i cili zbuloi se Neymar do të mungojë në ndeshjet e ardhshme pikërisht për këtë arsye:

“Ai iu nënshtrua një operacioni në gju gjatë pushimit të kombëtareve të FIFA-s. Nuk u stërvit. Kaloi disa ditë duke u rikuperuar nga ndërhyrja, e cila ishte çështje mjekësore”, shpjegoi trajneri përpara debutimit në Copa Sudamericana kundër Cuenca.

“Nuk do të udhëtojë këtë javë për shkak të një programi specifik stërvitor të fokusuar në forcë, shpejtësi dhe rezistencë, që përfshin dy seanca”, shtoi Cuca.

Vendimi nuk ishte rastësi, pasi Neymar e di se është prapa në planet e Ancelottit, i cili e ka bërë të qartë se do të grumbullojë vetëm lojtarë që janë 100% në formë fizike.

Në këtë kontekst, sulmuesi po përpiqet ta japë një sinjal të fortë se mund të jetë ende një faktor vendimtar për “Canarinha”.

Megjithatë, përveç dëmtimeve, mungesa e ritmit të ndeshjeve mund të jetë një faktor tjetër përcaktues në vendimin e “Carlettos”: Neymar nuk ka luajtur për Brazilin që nga ndeshja kualifikuese kundër Uruguait më 17 tetor 2023, kur e pësoi edhe lëndimin në gju; ndërsa me Santosin i ka zhvilluar gjashtë ndeshje, duke i shënuar tre gola dhe duke i dhënë tri asistime.

Ndërkohë, Ancelotti pritet ta shpallë listën përfundimtare për Kupën e Botës më 18 maj, datë në të cilën do të mësohet nëse përpjekjet e Neymar kanë dhënë rezultat.