Në pamje të parë, videoja dhe fotot që Edi Rama publikoi sot në mbrëmje nga mbledhja e grupit parlamentar të PS duken si një episod i zakonshëm propagande: kryeministri në krye të tryezës, deputetët përreth dhe një atmosferë që synon të përcjellë unitet.
Por vëmendja ndalet diku tjetër. Në materialet e publikuara mungojnë dy figura të njohura të mazhorancës: Erion Braçe dhe Elisa Spiropali. Të paktën në atë që tregohet nga kamera e kryeministrit, ata duket sikur nuk ekzistojnë.
Në fund të fundit, kaq ka mbetur për t’u diskutuar nga mbledhjet e një grupi parlamentar ku flet Edi Rama, vendos Edi Rama dhe përjashton po vetë Edi Rama. Ndërsa debati i brendshëm është reduktuar në një pyetje pothuajse groteske: ku ishte ulur Braçe dhe pse kamera nuk e kap Elisën.
Kjo sepse pakënaqësitë e dy deputetëve, të paketuara herë pas here si “rebelizma”, nuk artikulohen në sallën e mbledhjeve. Ato shfaqen vetëm në media apo në rrjetet sociale, si sinjale të kujdesshme pakënaqësie.
Në mbledhjen e grupit parlamentar, skena është tjetër: të bindur dhe “rebelë” rreshtohen njësoj përpara shefit të madh. Edhe kur ai zgjedh t’i anashkalojë apo t’i poshtërojë publikisht, askush nuk i kthen fjalën dhe askush nuk e kundërshton.
Deri tani, të paktën. Sepse për Erion Braçen dhe Elisa Spiropalin duket se ekziston vetëm një hapësirë ku gjejnë kurajën të shprehin pakënaqësitë dhe ambiciet e tyre: rrjetet sociale. Si i vetmi forum ku mund të duket se kundërshtohet Edi Rama.







