Ballina Politika Vajza e Mirush Kabashit futet në politikë/ Garon për Këshillin Bashkiak në...

Vajza e Mirush Kabashit futet në politikë/ Garon për Këshillin Bashkiak në Kanada: Mbështes protestat në Shqipëri, qytetarët po ngrenë zërin!

68
0

Mendi Kabashi, vajza e aktorit të madh shqiptar Mirush Kabashi, është në garë për një vend në Këshillin Bashkiak të Mississauga-s në Ontario të Kanadasë. Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24, me gazetaren Nisida Tufa, Kabashi rrëfeu rrugëtimin e saj nga Shqipëria drejt Kanadasë, angazhimin në komunitet dhe arsyen që e shtyu të hyjë në politikën lokale. Kabashi kandidon për zgjedhjet e 26 tetorit, në një garë lokale që përfshin një komunitet prej rreth 65 mijë banorësh. Ajo tregoi se fushata po zhvillohet kryesisht në terren, derë më derë, duke takuar banorët dhe duke dëgjuar problematikat e tyre.

“Politika lokale nuk është ideologji, është shërbim”, u shpreh Kabashi, duke theksuar se vendimin për të kandiduar e sheh si një mision përtej ambicies personale. Rrugëtimi i Mendi Kabashit ka kaluar nëpër disa etapa të rëndësishme. Në moshën 17-vjeçare ajo nisi studimet në Akademinë Ushtarake në Modena, ndërsa më pas punoi si këshilltare ligjore në Ministrinë e Mbrojtjes. Sot jeton dhe punon në Toronto, ku është e angazhuar në menaxhimin e komuniteteve.

Për të, politika lokale është një mënyrë për të sjellë më pranë institucioneve zërin e qytetarëve. “Dua t’ua bëj jetën njerëzve më të mirë, duke shfrytëzuar gjithë potencialin që ka kjo lagje apo kjo njësi bashkiake. Mendoj se kam kualifikimet dhe përgatitjen për të bërë më të mirën, por mbi të gjitha vullnetin, ndershmërinë dhe përkushtimin”, deklaroi Kabashi.

Ajo tregoi se pjesë e rëndësishme e fushatës është kontakti i drejtpërdrejtë me banorët. Sipas saj, qindra qytetarë kanë pranuar të mbështesin publikisht fushatën e saj, duke vendosur në banesat e tyre materialet promocionale të kandidaturës. “Shumë njerëz më thonë: ‘Me këto kualifikime që ke, duhet të kishe kandiduar për kryetare bashkie, jo për këshilltare bashkiake’. Unë shpesh bëj shaka dhe u them: herën tjetër”, rrëfeu ajo. Kabashi e sheh kandidimin e saj edhe si një mundësi për një përfaqësim më të madh të shqiptarëve në jetën qytetare dhe politike të Kanadasë.
Ajo vlerësoi gjithashtu mbështetjen e komunitetit dhe të strukturave me të cilat është angazhuar gjatë kësaj periudhe.
E pyetur nga gazetarja Tufa për protestat në Shqipëri dhe zhvillimet politike në vend, Mendi Kabashi tha se nuk e sheh veten të angazhuar aktualisht në politikën shqiptare, por u shpreh qartë në mbështetje të të drejtës së qytetarëve për të protestuar.