Fondi i Investimeve, që akordoi 100 milionë euro kredi për Mabcon e Behgjet Pacollit kërkon më çdo kusht përfshirjen e aeroportit të Vlorës si humarrës në kontratën e kredisë. Kapitali publikon amendimin, që Delphos dhe Mabco i kanë bërë kontratës së kredisë, ku pika kyçe mbetet ajo e përfshirjes së shoqërisë koncesionare VIA si huamarrës shtesë dhe garant për kthimin e kredisë.
“Sa më shpejt që të jetë e mundur, por në asnjë rast më vonë se 30 ditë nga data e përfundimit të Aeroportit, Mabco duhet të bëjë që VIA t’i dorëzojë Delphosit Letrën e Hyrjes, duke hyrë në mënyrë të parevokueshme në marrëveshjen e kësaj kredie si një huamarrës shtesë,” thuhet në amendim.

Amendimi i kontrates Delphos-Mabco
Marrëveshja e kredisë mes Delphos dhe Mabco është ndryshuar në gusht të vitit të kaluar, kur mes dy aksionerëve të aeroportit të Vlorës kishin shpërthyer mosmarrëveshjet për përqindjen e aksioneve.
Kjo duket se e ka bërë fondin nga Luksemburgu të kërkojë më shumë garanci nga Behgjet Pacolli dhe pika kryesore e këtyre garancive është futja e shoqërisë koncesionare të Aeroportit si huamarrës shtesë në kredinë që Mabco ka marrë nga Delphos.
“Huamarrësi origjinal (Mabco) deklaron se firmosja e Letrës Anësore të VIA-s dhe hyrja e saj në Marrëveshjen e Kredisë do të jetë e vlefshme dhe e detyrueshme, pavarësisht mospjesëmarrjes dhe mospajtimit nga aksioneri i pakicës (Valon Ademi) dhe kjo mospjesëmarrje nuk e pengon zbatimin e Letrës Anësore të VIA-s,” thuhet në amendimin e marrëveshjes.

Garancite e Mabcos per Delphos
Madje Mabco garanton Delphosin se futja e VIA-s në marrëveshjen e kredisë mund të bëhet vetëm më votat e saj, pavarësisht kundërshtimit nga Valon Ademi.
Letra e Hyrjes

Kjo është Letra e Hyrjes që Delphos kërkon nga VIA. Në të shoqëria koncesionare duhet të marrë përsipër sa më poshtë:
“Vlora International Airport, VIA shpk bie dakord të bëhet humarrës shtesë dhe të jetë e lidhur nga termat e marrëveshjes së kredisë mes Delphos dhe Mabcos në përputhje me klauzolën 23.1 (Huamarrës shtesë) të marrëveshjes,” thuhet në letër.
Siç duket nga dokumenti, deri më tani kjo Letër Hyrje është firmosur vetëm nga Mabco, kompania përmes të cilës Behgjet Pacolli zotëron aksionet në VIA. Por ajo nuk është firmosur nga vetë VIA, për shkak se edhe Valon Lluka edhe Mentor Hajdaraj, dy administratorët e VIA-s të emëruar nga Pacolli, nuk pranuan të firmosnin.
Madje Lluka, i cilësuar si krahu i djathtë i Pacollit për shumë vite, e kundërshtoi ashpër firmosjen e kredisë duke e quajtur atë si shkelje të marrëveshjes koncesionare.
“Në vijim të bisedës së sotme, por edhe atyre paraprake në lidhje me angazhimin e Mabco për financimin e Delphos, ndjej detyrimin të theksoj edhe njëherë se çdo formë financimi që lidhet me Aeroportin e Vlorës duhet të kryhet rreptësisht në përputhje me përcaktimet dhe detyrimet që i ngarkohen shoqërisë koncesionare dhe ortakëve të saj sipas kontratës së Koncesionit dhe marrëveshjeve përkatëse me financuesin kryesor, BKT,” shkroi ai në një email dërguar Emin Pacollit.

Emaili i Llukes ku refuzoi firmosjen e kredise nga VIA
Pacolli e mori kredinë fshehurazi
Marrëveshja e parë e kredisë 100 milionë euro që Mabco ka marrë nga Delphos është firmosur në mars të vitit të kaluar. Kredia e marrë fshehurazi aksionerit të minorancës doli në skenë pas shpërthimit të konfliktit mes dy aksionerëve në aeroportin e Vlorës, Mabcos dhe 2 A group, të zotëruara respektivisht nga Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi.
Konflikti mes Pacollit dhe Ademit shpërtheu për përqindjen e aksioneve në shoqërinë koncesionare VIA. Në letra, VIA zotërohej në masën 98 për qind nga Mabco e Pacollit dhe 2 për qind nga 2A Group e Ademit.
Por që në vitin 2022, dy aksionerët kishin nënshkruar një kontratë, ku Pacolli kishte rënë dakord të shiste 47 për qind të aksioneve tek Ademi, duke e çuar strukturën e kuotave në 51 për qind për Mabcon dhe 49 për 2A Group. Por më vonë, Pacolli e mohoi kontratën e shitjes duke pretenduar se ja kishin marrë firmën me mashtrim, edhe pse kontrata ishte firmosur dhe miratuar edhe nga asambleja e Mabcos.
Ky konflikt u thellua më shumë kur 2A Group zbuloi se Mabco kishte marrë fshehurazi saj një kredi nga Delphos, e cila e detyronte VIA-n që të bëhej huamarrëse shtesë. Pas kësaj, Valon Ademi e paditi Mabcon në gjykatë duke kërkuar pezullimin e votës së saj në administrimin e shoqërisë koncesionarë të Aeroportit.
Fillimisht gjykata vendosi të pezullojë votën e Mabcos së Pacollit në shoqërinë VIA, pikërisht me argumentin se marra e kredisë fshehurazi ortakut ishte një shkelje e rëndë ligjore.

Vendimi i Gjykates qe pezulloi Mabcon nga administrimi i VIA
Më vonë ky vendim i gjykatës së shkallës së parë u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit, e cila e ka pezulluar Mabcon nga e drejta e votës në shoqërinë koncesionare të aeroportit të Vlorës duke ja dhënë administrimin totalisht Valon Ademit deri sa çështja të gjykohet në themel.
Pacolli ra në gropën që bëri vet
Ky është telashi i madh për Pacollin aktualisht. Kontrata e kredisë 100 milionë euro e detyron Mabcon, që të bëjë pjesë të kredisë si huamarrës shtesë edhe shoqërinë koncesionare VIA duke e detyruar atë të firmosë Letrën e Hyrjes. Por duke qenë se Pacolli nuk e ka më administrimin e VIA-s, letra nuk firmoset.
Kjo është arsyeja që Pacolli kërkon me çdo kusht të rimarrë administrimin e shoqërisë koncesionare VIA, për ta bërë atë pjesë të kredisë ashtu siç e detyron kontrata me Delphosin.
Por lënia në fuqi, e pezullimit të votës nga gjykata e Apelit duket se i ka prishur jo pak planet e Pacollit, edhe pse në amendimin e kredisë është vendosur një klauzolë, që për sa kohë ndërmarrja e veprimeve të parashikuara në kontratë pengohet nga aksioneri i minorancës, kjo nuk do të konsiderohet shkelje e marrëveshjes së kredisë apo ngjarje falimentuese.
Kredia që Mabco mori fshehurazi ortakut të saj në VIA, pavarësisht se ajo impononte që edhe VIA të bëhej pjesë, i kushtoi jo vetëm humbjen e administrimit të shoqërisë koncesionare, por tashmë duket se e ka futur në telashe edhe me Delphosin, i cili kërkon më çdo kusht të fusë aeroportin në kredi duke patur kontrollin e plotë, jo vetëm mbi fluksin e të ardhurave të Aeroportit, por edhe në gjithë administrimin financiar të shoqërisë koncesionare të aeroportit.
Por ndërsa ngërçet në Aeroportin e Vlorës janë bërë të shumëfishta, data e re për hapjen e tij është shtyrë në korrik, kur sipas afatit do të duhej të hapej në shkurtin që kaloi./Kapitali







