Ballina Aktualitet Tjetërsimi i pronave tek Rana e Hedhun në Shëngjin/ Gjykata e Lartë...

Tjetërsimi i pronave tek Rana e Hedhun në Shëngjin/ Gjykata e Lartë rrëzon vendimin, çështja kthehet për rigjykim

87
0

Gjykata e Lartë ka vendosur të rrëzojë vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit Shkodër për çështjen e tjetërsimit të pronave në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, duke e kthyer atë për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues në Gjykaten e Apelit Tiranë.

Bëhet fjalë për një nga dosjet më të bujshme të pronave në bregdet, ku sipas hetimeve janë tjetërsuar rreth 234 mijë metra katrorë tokë shtetërore ranishte.

Vendimi i rrëzuar i Apelit Shkodër (nr. 222, datë 28.10.2022) kishte shpallur fajtor disa zyrtarë dhe qytetarë që sipas gjykatës janë të përfshirë në këtë skemë.

Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, ish-kryetari i Qarkut, Gjok Ndoka, u dënuan me nga 3 vite burg secili. Po ashtu, Gjykata e Apelit shpalli fajtor edhe 16 persona të tjerë për tjetërsimin e rreth 234 mijë m² tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun, ndërsa për disa prej tyre dënimet u konvertuan në shërbim prove ose u lanë në fuqi vendimet e shkallës së parë, nga 1 deri në 3 vite burg.

Ndërkohë, në një tjetër linjë hetimi për të njëjtën zonë, organet e drejtësisë kanë evidentuar edhe tjetërsimin e rreth 66 mijë m² tokë me vlerë miliona euro, çka tregon përmasat e gjera të kësaj skeme.

Gjykata e Lartë nuk ka zbardhur ende arsyetimin e plotë të vendimit për kthimin e çështjes, i cili pritet të hedhë më shumë dritë mbi shkeljet procedurale apo ligjore të konstatuara në vendimin e Apelit.