Numri i shtetasve shqiptarë që përfundojnë në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar vijon të mbetet i lartë, me një mesatare prej një personi të burgosur çdo dy ditë. Sipas të dhënave të publikuara në The Telegraph gjatë tre muajve të parë të vitit rreth 63 shqiptarë janë dënuar, duke grumbulluar në total 207 vite burg.
Shqiptarët përbëjnë rreth 9% të të gjithë të burgosurve në Angli dhe Uells, duke qenë grupi më i madh mes 10,376 shtetasve të huaj në burgje. Pas tyre renditen Irlanda dhe Polonia, secila me nga 7%.
Shumica e dënimeve lidhen me krime të drogës dhe vjedhje me dhunë, ndërsa rastet më të rënda përfshijnë edhe krime të dhunshme. Një prej rasteve më tronditëse është dënimi me burgim të përjetshëm i një shtetasi shqiptar për vrasjen e foshnjës së tij tre muajshe.
Autoritetet britanike lidhin rritjen e kriminalitetit me valën e emigracionit të paligjshëm, veçanërisht me mbërritjet me varka të vogla gjatë vitit 2022, kur një rekord prej 12,551 shqiptarësh hynë në vend. Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit, një pjesë e tyre përfshihen në ekonominë informale ose në rrjete kriminale, duke dërguar shuma të mëdha parash drejt Shqipërisë.
Kostoja për taksapaguesit është e konsiderueshme, pasi çdo i burgosur kushton rreth 60,018 paund në vit, çka mund të arrijë deri në 800 milionë paund në total nëse të gjitha dënimet vuhen plotësisht.
Ndërkohë, qeveria britanike ka intensifikuar masat për deportimin e shtetasve të huaj që kryejnë krime. Sipas rregullave aktuale, ata që dënohen me më shumë se 12 muaj burg marrin automatikisht urdhër dëbimi. Përmes një marrëveshjeje me Shqipërinë, deportimet po kryhen pothuajse çdo javë, me dhjetëra persona që rikthehen në vendin e tyre.
Autoritetet kanë paralajmëruar se masat do të ashpërsohen më tej, me synimin për të frenuar emigracionin e paligjshëm dhe kriminalitetin.







