Ballina Bota Pamje të rralla/ Shatërvanë prej bore, shpërthimi i akullit në lumin Amur

Pamje të rralla/ Shatërvanë prej bore, shpërthimi i akullit në lumin Amur

95
0

Autoritetet kineze në provincën Heilongjiang kanë zhvilluar një operacion të kontrolluar për thyerjen e akullit në lumin Amur, në kuadër të masave vjetore për parandalimin e përmbytjeve.

Operacioni u krye në një segment mbi 11 kilometra të gjatë në kufirin me Rusia, ku ekspertët shpuan rreth 860 vrima në shtresën e trashë të akullit dhe vendosën eksplozivë për ta copëzuar atë në pjesë më të vogla.

Shpërthimet e kontrolluara çanë akullin masiv, duke nxjerrë në sipërfaqe copa të mëdha të shoqëruara me kolona uji, një pamje që sinjalizon nisjen e sezonit të pranverës në rajon.

Kjo praktikë zbatohet çdo vit nga autoritetet kineze për të parandaluar krijimin e “digave të akullit”, të cilat mund të bllokojnë rrjedhën e ujit dhe të rrisin ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve në zonat e banuara gjatë shkrirjes së akullit.

Përveç reduktimit të rrezikut nga përmbytjet, operacioni ndihmon edhe në rikthimin e lundrueshmërisë së lumit, duke lehtësuar transportin dhe aktivitetet ekonomike në këtë zonë kufitare.