Serbia pritet të hapë së shpejti një fabrikë të re për prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot (UAV) në zonën industriale Simanovci, rreth 30 km në perëndim të Beogradit.
“Për UAV seriozë, më seriozët në botë,” tha presidenti serb Aleksandar Vučić kur njoftoi hapjen e fabrikës së re. Presidenti serb shtoi se objekti mund të jetë gati që në prill dhe do të jetë një sipërmarrje e përbashkët, por nuk e zbuloi kompaninë partnere.
Por një investigim i BIRN dhe Haaretz ka zbuluar se projekti do të realizohet në partneritet mes gjigantit izraelit të armëve Elbit Systems dhe kompanisë shtetërore serbe SDPR, ku Elbit do të ketë 51% të aksioneve.
Elbit Systems dhe SDPR planifikojnë të prodhojnë dy lloje UAV-ësh në objekt, dronë të armatosur me rreze të shkurtër dhe mjete ajrore pa pilot me rreze të gjatë, sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga BIRN dhe Haaretz. Dokumentet tregojnë se Elbit do të ketë 51 për qind të aksioneve në sipërmarrje.
Partneriteti i ri e çon bashkëpunimin në mbrojtje mes Serbisë dhe Izraelit në një nivel të ri. Gjatë dy viteve të fundit, eksportet serbe të armëve drejt Izraelit janë rritur 42 herë, duke arritur në 114 milionë euro në vitin 2025. Shumica e eksporteve drejt Izraelit menaxhohen nga SDPR.
Siç raportoi Haaretz/BIRN gushtin e kaluar, eksportet e armëve kanë vazhduar pavarësisht deklaratës së presidentit serb për ndalimin e tyre. Të dhënat tregojnë se eksportet nga Serbia u intensifikuan pas shpërthimit të luftës së vitit 2023 me Hamasin dhe Hezbollahun. Në sfondin e mungesës së municioneve gjatë luftës, dërgesat e armëve nga Beogradi drejt bazës ajrore Nevatim në Izrael u shtuan ndjeshëm brenda dy vitesh përmes një “ura ajrore”.
Sipas Vuk Vuksanović, ligjërues i politikës së jashtme në Departamentin e Studimeve të Luftës në King’s College London, Serbia pritet të përfitojë ekonomikisht dhe teknologjikisht nga partneriteti për dronët, duke fituar akses në ekspertizën e kompanisë izraelite, si një nga prodhuesit më të avancuar të armëve në botë. Për Izraelin, sipërmarrja ndihmon në sigurimin e një zinxhiri prodhimi dhe furnizimi jashtë një vendi “në gjendje të vazhdueshme konflikti.”
Gjeopolitikisht, udhëheqja serbe e sheh Izraelin si një “shteg të shkurtër drejt Shtëpisë së Bardhë” në një kohë kur Vučić dhe partia e tij përballen me rënie të popullaritetit pas 14 vitesh në pushtet.







