Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj zhvilluan këtë të enjte, më 9 prill, një bashkëbisedim për rritjen e pagave në sipërmarrjet shqiptare, ku gjithashtu u prezantua edhe një projekt i ri zhvillimi në kryeqytet.
Duke u ndalur në fushën e ndërtimit, kryeministri gjatë fjalës së tij, kritikoi opozitën që sipas tij po hedh baltë mbi këtë sektor, që sipas tij po transformon vendin.
“Në Shqipëri sjell shumë të mira, por nga ana tjetër për fattë keq si çdo gjë në këtë vend që sulmohet kur shfaqet me sukses, që goditet kur shfaqet si ndryshim, që mbulohet me baltë kur shfaqet si një shenjë e të nesërmes, është një sektor që merr në mënyrë të vazhdueshme goditje, sulme, baltë, dhe që lëndon një numër të madh protagonistësh të tij.
As nuk e vë në diskutim që edhe në sektorin e ndërtimit si në çdo sektor tjetër, në Shqipëri si në çdo vend tjetër, përfshirë ato vende që na bëjnë leksione ne, ka probleme, si këtu në Shqipëri që janë më të mprehta në disa raste se në vende të tjera. S’e vë në diskutim se edhe në ndërtim jo çdo gjë është e pastër, por ama që këtë sukses evident të Shqipërisë, që këtë transformim të Shqipërisë që sektori i ndërtimit e bën të prekshëm menjëherë sapo dikush vjen në Shqipëri, ta fusë në kornizën e krimit, është diçka e neveritshme dhe e papranueshme.”, tha Rama.
14 milionë euro taksë të fituara
Mes të tjerash, gjatë fjalës së tij duke folur për një projekt të ri në kryeqytet, Rama tha se: “Bashkia e Tiranës përfiton 14 milionë euro taksë vetëm nga ky projekt. 14 milionë euro janë një shumë e konsiderueshme, ndërkohë që nga ky projekt kur të bëhet realitet, komuniteti do të fitojë çerdhen, kopshtin, ndërkohë që Bashkia e Tiranës mund të fitojë edhe një shkollë.”
Sepse siç sqaroi kryeministri, investitori mund të ndërtojë dhe shkollën në momentin që t’i jepet trualli për të ndërtuar.
Rama shtoi se nuk mund të thuhet se po rritet korrupsioni, kur paguan plot 14 milionë euro taksa. Sepse në korrupsion paguhet më pak taksë. “Nuk shkojnë të dyja bashkë”, theksoi kreu i qeverisë.
350 apartamente të porositura vetëm nga diaspora
Më tej, Rama shtoi se plot 350 apartamente janë porositur vetëm nga diaspora.
“350 apartamente të porositura vetëm nga diaspora shqiptare dhe që janë të porositura e nuk paguhen me cash që të jemi të qartë, por paguhen me bankë! Dhe 350 apartamente janë një e katërta e apartamenteve që do të ketë gjithë ky kompleks i madh dhe sot janë të porositura, të kontraktuara. Prandaj është e rëndësishme që në një moment të caktuar njerëzit të informohen.”, u shpreh ai.
Rama shtoi se në këto apartamente në Tiranë jetojnë njerëz dhe nuk mund t’i pranojë ato “lloj-lloj teorish” që qarkullojnë se bëhet fjalë për njerëz të krimit.
“Nuk janë skena krimi këto, por prova të një tranformimi të madh”, shtoi ai.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj gjatë bashkëbisedimit , të zhvilluar me përfaqësues të bizneseve, deklaroi se sektori i ndërtimit ka pësuar një rritje rreth 17% në dhjetëvjeçarin e fundit.
“Sektori i ndërtimit në dhjetë vitet e fundit, sëbashku me real estate, ka patur një rritje rreth 17%.”, tha Ibrahimaj.
Rritja ekonomike e vendit sipas saj, vjen kryesisht nga ky sektor dhe si rrjedhojë e ecurisë së investimeve në vend.
“Nuk është vetëm rritja e një biznesi në vetvete, por është kontributi që ai sektor jep në rritjen e ekonomisë dhe rritjen e pagave.”, shtoi Ibrahimaj.
Ministrja theksoi se mbështetja për këtë sektor mbetet thelbësore për të garantuar vijimësinë e rritjes ekonomike të qëndrueshme. Ajo solli në vëmendje se projektet në zhvillim pritet të gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme, duke përfshirë rreth 14 milionë euro taksa lokale që në fazat fillestare, si dhe të ardhura të tjera nga aktiviteti ekonomik që do të krijohet rreth tyre.
Një tjetër element i rëndësishëm i diskutimit ishte ndikimi i drejtpërdrejtë i këtij sektori në punësim dhe paga. Aktualisht, projektet në zhvillim angazhojnë qindra punonjës dhe dhjetëra nënkontraktorë, ndërsa pritet që numri i të punësuarve të rritet ndjeshëm në fazat e mëtejshme të zbatimit. Pagat në këtë sektor janë dukshëm mbi mesataren kombëtare, duke reflektuar potencialin për rritje të mëtejshme të mirëqënies. Megjithatë, Ibrahimaj nënvizoi nevojën për rritjen e formalizimit të pagave dhe standardeve në sektor, në përputhje me zhvillimin e tij të shpejtë.
Gjatë këtij takimi u theksua gjithashtu se projektet moderne me standarde të larta urbane përfaqësojnë modele suksesi që kontribuojnë në afrimin e vendit me standardet e Bashkimit Europian dhe duhet të shërbejnë si shembull për sektorët e tjerë të ekonomisë.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit theksoi se zhvillimi i sektorit të ndërtimit është i lidhur ngushtë me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Shqipërisë dhe me rritjen e mirëqenies së qytetarëve, duke e konsideruar atë një prioritet në politikat ekonomike të vendit.







