Ballina Ekonomia “Rritja ekonomike në Shqipëri, 3.4%”/ Banka Botërore: Ngadalësim në gjithë rajonin, rrezik...

“Rritja ekonomike në Shqipëri, 3.4%”/ Banka Botërore: Ngadalësim në gjithë rajonin, rrezik rritje inflacioni

74
0

Rritja ekonomike e Shqipërisë është rishikuar në ulje nga Banka Botërore, në një kohë kur edhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet me një ngadalësim.

Në raportin e prillit për politikat industriale, Banka Botërore vlerëson se ekonomia shqiptare pritet të rritet rreth 3.4% në vitin 2026, nga rreth 3.5% një vit më parë, duke reflektuar një ritëm më të moderuar të zhvillimit.

Ky ngadalësim lidhet drejtpërdrejt me faktorë të jashtëm. Banka Botërore thekson se rajoni po ndikohet nga kërkesa e dobët në BE, pasiguria globale dhe tkurrja e investimeve: “Ritmi i zgjerimit ekonomik u ngadalësua në Ballkanin Perëndimor. Konsumi mbeti burimi kryesor i rritjes, por ritmi i tij i zgjerimit u ftoh, ndërsa rritjet e pagave u ngadalësuan dhe flukset hyrëse të turizmit u moderuan.”

Ndikimin e konflikteve Banka Botërore e rendit si një faktor kyç rreziku, sidomos në drejtim të inflacionit.

“Një rritje e qëndrueshme e çmimeve të energjisë ka të ngjarë të shtyjë inflacionin më lart në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore dhe mund të vonojë normalizimin e politikave. Rreziqe të tjera negative rrjedhin nga përshkallëzimi i tensioneve gjeopolitike rajonale, rritja më e dobët në partnerët kryesorë tregtarë, rritja e barrierave tregtare dhe përparimi më i ngadaltë me reformat strukturore”, shkruhet në raportin e Bankës Botërore.

Në nivel rajonal, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor pritet të rriten mesatarisht rreth 3.1% në vitet 2026–2027. Pritshmëritë për rritjen ekonomike për vitin 2026 i kryeson Kosova me 3.7%, pasuar nga Shqipëria, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut pritet të rriten me 2.9% secila, Serbia me 2.7% dhe në fund Bosnjë dhe Hercegovina me 2.5%.