Ballina Editorial Kjo nuk është thjeshtë një çeshtje korrupsioni, është çeshtje sigurie kombëtare

Kjo nuk është thjeshtë një çeshtje korrupsioni, është çeshtje sigurie kombëtare

177
0

Nga Klevis Elezi

Pas vendimit të GJKKO-së për masën e arrestit në shtëpi dhe pezullimin nga detyra të drejtueses së SHISH, Vlora Hysenit, Shqipëria duhet të ndalojë për një moment debatin politik dhe të bëjë pyetjen më të rëndësishme:
A është cenuar siguria kombëtare e Republikës së Shqipërisë?
Kjo është pyetja që duhet të marrë përgjigje.
Prandaj, Presidenti i Republikës, si kryetar i Këshillit të Sigurimit Kombëtar, duhet ta mbledhë Këshillin e Sigurimit Kombëtar dhe të kërkojë një vlerësim institucional të plotë mbi pasojat që kjo çështje mund të ketë sjellë për sigurinë e vendit.
Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk është vendi ku gjykohet një individ. Për këtë është drejtësia. Por është vendi ku shteti duhet të analizojë nëse një situatë e tillë ka krijuar apo jo rrezik për sigurinë kombëtare.
Sepse kreu i SHISH nuk është thjesht një zyrtar administrativ.
Ai drejton një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë së shtetit shqiptar.
Përgjegjësia e tij lidhet me sigurinë kombëtare të Shqipërisë, por Shqipëria është njëkohësisht anëtare e NATO-s dhe pjesë e procesit të integrimit në BE.
Në një kohë kur kemi përballë luftëra, konflikte dhe përplasje gjeopolitike, nga Rusia te Irani, kërcënime kibernetike, ndërhyrje të huaja, dezinformim dhe luftë hibride, Shqipëria nuk mund të përballojë luksin e një institucioni inteligjence të dobësuar apo të komprometuar.
Sidomos kur vendi ynë ka qenë vetë objekt i sulmeve dhe kërcënimeve kibernetike të lidhura me aktorë të huaj.
Prandaj pyetja nuk është vetëm:
“A ka pasur korrupsion?”
Këtë e përcakton drejtësia.
Pyetja e shtetit duhet të jetë:
A janë cenuar informacionet sensitive?
A janë ekspozuar burime?
A janë dëmtuar operacione?
A është cenuar bashkëpunimi me partnerët?
A ka pasur akses të paautorizuar në informacionin e klasifikuar?
A ka krijuar kjo situatë një dobësi që mund të shfrytëzohet nga aktorë të huaj?
Këto janë pyetje të sigurisë kombëtare.
Dhe siguria nuk mbaron te kufiri.
Shqipëria po përjeton tensione politike dhe protesta. Protesta është një e drejtë demokratike dhe duhet mbrojtur.
Por një shtet serioz duhet të jetë në gjendje të dallojë protestën qytetare nga çdo tentativë për shfrytëzimin e saj nga aktorë të huaj.
Protesta duhet mbrojtur nga manipulimi i jashtëm dhe shteti duhet mbrojtur nga ndërhyrja e jashtme.
Kjo është pikërisht arsyeja pse një vend anëtar i NATO-s ka nevojë për institucione inteligjence të forta.
Por këtu vjen edhe përgjegjësia politike.
Nuk mund të vazhdohet më kështu.
Nëse një qeveri përballet vazhdimisht me kriza, skandale, probleme institucionale dhe konsum politik, atëherë nuk mjafton vetëm të ndryshosh një emër.
Duhet të ndryshosh standardin.
Duhet pastrim politik.
Ministra të rinj.
Kryetarë bashkish të rinj.
Figura të reja politike.
Njerëz me integritet, përgjegjësi dhe forcë politike.
Jo thjesht rotacion karrigesh.
Rinovim real.
Historia politike shqiptare ka pasur momente kur një mazhorancë është detyruar të bëjë një kthesë të fortë për të rifituar besimin dhe për të ndryshuar fytyrën e saj politike.
Fatos Nano e quajti “katharsis”.
Sali Berisha pati momentin e tij me KOP-in.
Sot, nëse Rama kërkon të tregojë se e kupton seriozitetin e momentit, pyetja është e thjeshtë:
A do ta bëjë edhe ai katharsisin e tij?
Jo për të mbrojtur pushtetin.
Por për të shpëtuar standardin e qeverisjes.
Sepse një qeveri nuk matet vetëm me sa gjatë qëndron në pushtet.
Matet me aftësinë për të larguar njerëzit kur sistemi kërkon ndryshim dhe për të sjellë njerëz të rinj kur koha kërkon përgjegjësi të re.
Kryeministri duhet të marrë përgjegjësinë institucionale që i takon.
Në rastin e SHISH, nëse pas vlerësimit të fakteve dhe në përputhje me ligjin lind nevoja për largimin e drejtueses, duhet të ndiqet procedura kushtetuese dhe Presidentit t’i paraqitet propozimi përkatës.
Por kjo nuk duhet të mbarojë këtu.
Nëse Shqipëria është futur në një fazë të re të sigurisë, atëherë duhet edhe një fazë e re politike.
Më pak riciklim.
Më shumë figura të reja.
Më pak klientelizëm.
Më shumë përgjegjësi.
Më pak pazare.
Më shumë shtet.
Sepse Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për një qeveri që administron.
Ka nevojë për një qeveri që kupton se çfarë rrezikesh po vijnë.
Prandaj:
Presidenti — mblidh Këshillin e Sigurimit Kombëtar.
Kryeministri — merr përgjegjësinë politike.
Drejtësia — bëj punën tënde pa ndërhyrje.
Dhe politika — pastrohu nga brenda.
Sepse korrupsionin e heton drejtësia.
Por sigurinë kombëtare e mbron shteti.
Dhe nëse ky është momenti kur Shqipëria duhet të bëjë një kthesë, atëherë:
RADHA ËSHTË PËR NJË KATHARSIS POLITIK.