Ballina Ekonomia Ministri i Financave: Nuk ka pastrim parash, flukset e valutës po hyjnë...

Ministri i Financave: Nuk ka pastrim parash, flukset e valutës po hyjnë në mënyrë të ligjshme

84
0

Ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi sot në Kuvend se analiza e treguesve të lidhur me flukset e valutës së huaj dëshmon burime të qëndrueshme dhe të ligjshme të hyrjes së euros në ekonominë shqiptare.

Gjatë prezantimit të ndryshimeve në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, ai u ndal në disa nga burimet kryesore të këtyre flukseve, duke nënvizuar se remitancat për vitin 2025, sipas të dhënave të Eurostat, kanë kaluar nivelin prej 2 miliardë euro, duke përfshirë si vendet e Bashkimit Europian, ashtu edhe ato jashtë tij.

Sipas ministrit, të ardhurat nga turizmi gjatë vitit 2025 arritën në 5.7 miliardë euro, me një rritje prej 14,7%, ndërsa investimet e huaja direkte shënuan nivelin më të lartë historik për 9-mujorin, në 1.6 miliardë euro.

Po ashtu, tha ai, kreditimi në valutë gjatë vitit 2025 arriti në 1.8 miliardë euro, ndërkohë që investimet e shtetasve të huaj në pasuri të paluajtshme u llogaritën në 560 milionë euro.

Malaj theksoi se këta tregues nuk duhet të interpretohen si elementë të pastrimit të parave, duke i cilësuar aludime të pabazuara në analiza ekonomike dhe financiare.

“Të dhënat tregojnë qartë se turizmi, investimet në pasuritë e paluajtshme dhe remitancat po gjenerojnë valutë në mënyrë organike, ndërsa ndikimi i tyre në kursin e këmbimit është i shpjegueshëm dhe në përputhje me konceptet ekonomike”, u shpreh ai.

Ministri nënvizoi gjithashtu se, pavarësisht këtyre zhvillimeve pozitive, mbetet e domosdoshme rritja e vigjilencës institucionale për të garantuar që flukset e valutave të huaja të jenë të gjurmueshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.