Mabco S.a aksioneri mazhoritar, por i pezulluar i Vlora International Airport, ka reaguar pas një publikimi të Kapitalit mbi konfliktin për aeroportin e Vlorës. Përmes një njoftimi për media, Mabco thotë se ish administratori i VIA-s, Valon Lluka, e kundërshtoi kredinë 100 milionë euro të Delphos, pasi ishte shkarkuar dhe së më parë ka qenë dakord me kredinë.
“Emaili është dërguar pasi z. Lluka ishte pezulluar dhe më pas shkarkuar nga detyra, në bazë të vendimeve të Asamblesë së Ortakëve. Në këto kushte, çdo komunikim i tij është bërë pa kompetencë ligjore dhe nuk përfaqëson asnjë qëndrim institucional të shoqërisë,” thotë Mabco në njoftimin për mediat duke e shoqëruar atë me një foto, e cila tregon datën e shkarkimit dhe atë të emailit.

Emaili i Llukes dhe vendimi i shkarkimit
Sipas kompanisë së Behgjet Pacollit, ndryshe nga sa pretendohet publikisht, Valon Lluka, gjatë ushtrimit të detyrës si administrator, ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në procesin e financimit me Delphos dhe nuk ka paraqitur asnjë kundërshtim formal në asnjë fazë të tij.
“Përkundrazi, në letrën e angazhimit (“Engagement Letter”) me Delphos, të datës 11 shtator 2023, z. Lluka figuron si përfaqësues i autorizuar i shoqërisë dhe ka firmosur vetë këtë marrëveshje në emër të klientit (VIA sh.p.k.), duke konfirmuar përfshirjen e tij të plotë në këtë proces,” thotë Mabco.

Letra e angazhimit
Mabco thotë se edhe pretendimi i ortakut minoritar dhe zëdhënësve të tij mediatikë se largimi i Mentor Hajdaraj ka ndodhur për shkak të refuzimit të tij për të nënshkruar kontratën me Delphos në emër të VIA-s është i pavërtetë.
“Hajdaraj nuk e dha dorëheqjen për këtë arsye, por për arsye personale të lidhura me sjelljen jokonstruktive të ortakut minoritar,” thotë njoftimi.
Sipas Mabco, riciklimi i këtyre pretendimeve bëhet me qëllim, veçanërisht në prag të zhvillimeve gjyqësore për këtë çështje./kapital







