Ballina Politika Rama: Pensioni mesatar do rritet në 400 euro, indeksim i pagave në...

Rama: Pensioni mesatar do rritet në 400 euro, indeksim i pagave në disa sektorë

142
0

Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mori pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste në Berat, ku u ndal te arritjet ekonomike dhe politikat sociale të qeverisë, me fokus të veçantë te pensionet dhe pagat.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se deri në fund të vitit 2025, qeveria ka akorduar për pensionistët 600 milionë e 213 mijë euro shtesë përtej pensioneve, në formë bonusesh, si për fundvitin ashtu edhe gjatë periudhës së pandemisë.

“Ne bëmë shumë përpjekje deri në momentin kur ekonomia pastaj na e krijoi mundësinë që të bënim një plan real dhe të buxhetuar të këtij mandati dhe me ato përpjekje deri në fund të vitit 2025 gjatë qeverisjes tonë ne i kemi dhënë pensionistëve 600 milionë e 213 mijë euro ekstra përtej pensioneve, në formë bonusesh, qoftë të fund vitit, qoftë të periudhës kur goditi pandemia dhe ua përmenda si një shenjë që kemi bërë çmos brenda mundësive, por ama prapë ishim me sëkëlldi”, tha Rama.

Rama nënvizoi se qeveria ka arritur të ulë ndjeshëm deficitin e skemës së pensioneve nga 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 0,5%, ndërsa numri i kontribuuesve është rritur nga 500 mijë në mbi 800 mijë.

Rama informoi se rritja e pensioneve do të përshpejtohet në vitet në vijim.

“Janarin e ardhshëm rritja do të jetë dyfishi i këtij janari. Janarin e 2028-ës do jetë trefishi i këtij janari, janarin i 2029-s do jetë katërfishi i këtij janari dhe janarin e 2030-ës do jetë pesëfishi i këtij janari, që do të bëjë që të arrijmë atë që kemi premtuar, pensionin mesatar 400 euro”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te rritja e pagave dhe ndikimi i inflacionit, duke theksuar se tashmë po indeksohen pagat në disa sektorë kyç, përfshirë arsimin, shëndetësinë, ushtrinë dhe policinë.

“Sot ne kemi filluar të indeksojmë pagat e mësuesve, pagat e ushtarakëve, pagat e punonjësve të policisë, pagat e mjekëve dhe infermierëve. Pra jo vetëm pagat rriten, por nuk kanë më impaktin e inflacionit, sepse inflacionin ia u paguan përsëri qeveria”, u shpreh Rama.

Ai theksoi gjithashtu lehtësitë fiskale për bizneset e vogla, duke përmendur se bizneset me xhiro deri në 140 mijë euro në vit paguajnë zero taksë, një politikë që sipas tij synon të nxisë investimet, veçanërisht në sektorin turistik.