Deputetja e PS, Marjana Koçeku ka reaguar në rrjetet sociale pas kritikave për përdorimin e gegnishtes në Parlament, duke mbrojtur zgjedhjen e saj si një akt përfaqësimi dhe qëndrimi politik. Ajo shprehet se e refuzon gjuhën standarde, duke e konsideruar gegnishten jo vetëm origjinë, por edhe një formë më të fortë identiteti dhe qëndrimi publik.
Reagimi Koçekut:
“Me pasë me mujt, me kënë me shkue, me i thanë me ardh me m’pa”, një fjali e shkëputur prej teksteve të Luigj Gurakuqit, është zgjedhur nga Marjana Koçeku, ose siç quhet ndryshe Neomalsorja, si foto e profilit të saj në rrjetet sociale. Ajo flet gegnisht në parlament dhe nuk e konsideron si zgjedhje, por si origjinë. Pas një bisede në një studio, ku dhe ka përsëritur arsyetimin pse ajo flet gegnisht në sallën e parlamentit të Shqipërisë, deputetja Koçeku është gjendur në një lumë komentesh sulmuese për gegnishten e saj të folur në parlament. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, në përgjigje të gazetarëve dhe komentuesve të shumtë, Koçeku rikonfirmon qëndrimin e saj se do të vazhdojë të flasë gegnisht dhe, për më tepër, nuk heziton të thotë se e refuzon gjuhën standarde. “Asht për t’ardh keq që dialekti jonë geg, n’vend që me u trajtue si dhanti, shpesh prej disave shihet si pengesë. Po lexoja rastësisht komentet dhe po shoh që e njëjta qasje si ajo e intervistuesit pasqyrohet edhe te shumë njerëz të tjerë. E përsëris edhe një herë se gegnishja jeme asht ma politike dhe refuzoj me e fol gjuhën standarde”, shkruan Koçeku. Në intervistë për gazetarin Roland Qafoku në “Dritare”, Koçeku tha ndër të tjera se: “Une di shume mire të flas standart ! Po pse nuk flet ? Por refuzoj të flas standart. Mu më shijon ma shumë dhe më jep ma shumë kënaqësi të flas gegnisht në Tiranë, aq ma tepër në parlament. Unë mendoj se duke fol gegnishten jam në nji format ma politik dhe se refuzoj të standartizohem në këtë ane, mendoj se qëndroj ma shumë politike me gegnishten teme”.
Në një intervistë për Tema pak ditë më parë, Koçeku do t’i përgjigjej kështu pyetjes për gegnishten në foltoren e parlamentit: Gegnishten unë nuk e kam zgjedh për me e fol, por jam lind me te. Gegnishtja është kjo që unë jam. Tu ardhë prej nji zone t’thellë malore në Veri të Shqipnisë, tu kenë pjesë e një qyteti siç asht Shkodra që me gegnishten asht lind, kriju e zhvillu kush asht sot, si djep kulture me të gjitha personalitetet që ka pasë e ka, asht e pamujtun ta refuzosh as të tjetërsohesh prej burimit aq shpirtëror e aq të rëndësishëm historik e kulturor që ka gegnishtja n’vetvete. E foluna për mu në parlament, në këtë tempull demokracie ku jam zgjedh për me marrë pjesë, asht përfaqësim mbi të gjitha sepse përfaqësoj një rajon që asht identifiku gjithmonë me gegnishten, që gegnishten e ka n’gjenezë dhe asht pjesë e jetës në tana dimensionet. Kshtu pra nëse unë flas nji gjuhë tjetër prej tyne, atëherë unë po devijoj prej përfaqësimit të tyne.”







