Ballina Dossier Letra e një emigranti nga Amerika në 1962: “Po torturojnë nënën time...

Letra e një emigranti nga Amerika në 1962: “Po torturojnë nënën time 81-vjeçare dhe motrat në internim”

71
0

Një letër e dërguar nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1962 hedh dritë mbi dramën e një familjeje nga minoriteti në zonën e Pogonit, në Gjirokastër, dhe mbi klimën e frikës që, sipas autorit të saj, ushtronin organet lokale të regjimit komunist.

Letra mban datën 19 qershor 1962 dhe është dërguar nga Chicago. Autori i saj, Athanas Vasiliu Paspali, një minoritar i arratisur nga katundi Skoriade i Gjirokastrës, i drejtohet udhëheqjes së lartë të shtetit shqiptar për të denoncuar padrejtësitë që, sipas tij, po kryhen nga autoritetet lokale ndaj banorëve të zonës.

Në rreshtat e letrës, Paspali përshkruan një realitet të rëndë për komunitetin e tij. Ai akuzon disa funksionarë lokalë të lidhur me strukturat e pushtetit dhe sigurimit se kanë krijuar një klimë frike dhe ndjekjeje, duke përdorur pushtetin për të ndëshkuar njerëz të pafajshëm. Mes emrave që përmend është edhe Mitro Karçena, të cilin e akuzon për sjellje arbitrare dhe presion ndaj popullsisë.

Por drama bëhet edhe më personale kur ai flet për familjen e tij.

Sipas letrës, nëna e tij, Helene Vasil Paspali, në moshën 81-vjeçare, mbahej e internuar në fermën e Goranxisë, në kushte të rënda. Ai shkruan se gruaja e moshuar jeton pa bukë dhe pa mjete jetese, ndërsa paratë që ai përpiqet t’i dërgojë nga jashtë nuk u arrijnë familjarëve.

Dy vajzat e saj, motrat e autorit, ndodhen gjithashtu në internim. Njëra prej tyre, sipas dëshmisë së tij, është mbajtur në kampin e Borshit dhe është torturuar, ndërsa tjetra ndodhet e internuar në Lushnjë.

Paspali thekson se familjarët e tij po ndëshkohen vetëm për shkak të veprimeve të tij, pasi ai ishte larguar nga Shqipëria dhe kishte dalë në mal me armë në vitin 1957. “Shqipëria nuk mbahet me nënën time 81-vjeçare”, shkruan ai me një ton të drejtpërdrejtë dhe të dëshpëruar, duke kërkuar që të lirohen gratë e familjes së tij dhe të ndalen abuzimet ndaj banorëve të Pogonit.

Në fund të letrës, ai kërkon ndërhyrje për të ndalur atë që e përshkruan si torturë dhe padrejtësi ndaj njerëzve të pafajshëm, duke paralajmëruar se këto veprime po i largojnë njerëzit nga vendi dhe po krijojnë një klimë të rëndë në zonë.

Letra mbetet një dëshmi e fortë njerëzore për fatin e familjeve që u prekën nga internimet dhe ndëshkimet kolektive gjatë viteve të regjimit komunist në Shqipëri./ vna