Ballina Aktualitet Tatimet vijojnë aksionet në sektorin e ndërtimit, agjencia imobiliare në Vlorë fshehu...

Tatimet vijojnë aksionet në sektorin e ndërtimit, agjencia imobiliare në Vlorë fshehu 920 mijë euro të ardhura

130
0

Administrata Tatimore ka ndërmarrë një aksion të gjerë në sektorin e ndërtimit dhe agjencive imobiliare, duke intensifikuar kontrollet në terren, veçanërisht në qytetin e Vlorës.

Kontrollet në agjencitë imobiliare, të kombinuara me analizën e thelluar të të dhënave të siguruara nga pajisjet kompjuterike të sekuestruara dhe sistemet e brendshme CRM, kanë sjellë rezultatet e para konkrete.

Nga përpunimi i këtyre të dhënave, që pasqyrojnë shitjet reale të pronave, janë evidentuar mospërputhje të qarta mes të ardhurave të deklaruara dhe aktivitetit të zhvilluar.

Pas mbylljes së vetëdeklarimeve për vitin 2025, hetimet ndaj agjencive imobiliare janë intensifikuar, me fokus në krahasimin mes deklarimeve tatimore dhe aktivitetit real.

Në një nga rastet e përfunduara, që i përket një agjencie imobiliare në Vlorë, është konstatuar se subjekti nuk ka deklaruar komisionet e përfituara nga shitjet e pronave, duke fshehur të ardhura në vlerën 920.000 euro.

Administrata Tatimore u bën thirrje tatimpaguesve në sektorin e agjencive imobiliare dhe ndërtimit të respektojnë legjislacionin tatimor në fuqi.

Aksioni, në kuadër të planit operacional në sektorin e ndërtimit, do të vijojë me qëllim formalizimin e tregut dhe parandalimin e praktikave abuzive që dëmtojnë konsumatorin dhe konkurrencën. Hetimet e thelluara vijojnë edhe për subjekte të tjera dhe rezultatet do të bëhen publike në vijim. Ky është vetëm një nga rastet e para të përfunduara, thuhet në njoftim.