Në fjalimet politike kryeministrore PBB-ja mbahet si treguesi kryesor kryesor i suksesit kombëtar. PBB-ja po rritet, edhe kjo sipas Kryeministrit do të thotë që ekonomia po ecën mirë. Rritja e PBB-së për qeverinë nuk është vetëm një sinjal suksesi, është qëllimi që duhet të aspirojmë, sepse rritja PBB-së do të thotë më shumë progres, më shumë vende pune dhe më shumë prosperitet.
Aq shumë është qeveria e obsesionuar nga rritja e PBB-së, sa është gati ta masë atë jo vetëm në euro por edhe në lira turke për t’u dukur jo dy herë por 14 herë më e madhe.
Por çfarë mat në të vërtetë PBB-ja (ose Prodhimi i Brendëshëm bBruto )? PBB-ja përmbledh ose numëron gjithë transaksionet monetare të kryera brenda vitit në ekonomi . PBB -nuk tregon nëse këto transaksione janë të mira apo të këqija, të dobishme apo të dëmshme, të nevojshme ose jo . Pra, sipas përkufizimit, PBB-ja mbledh gjithçka për të cilën shpenzojmë para: aty futet ndërtimi i një spitali, pastrimi i një kanali ujitës, blerja e një apartamenti , pagesat e avokatëve në mosmarrëveshjet gjyqësore , apo trajtimi i tumorit – të gjitha llogariten si aktivitet ekonomik.
Në këtë kontekst, PBB-ja është një matje më e mirë e kostove sesa e përfitimeve.
Të gjykosh shendetin e ekonomisë nga niveli i PBB-së është si të gjykosh shëndetin e makinës nga sa shpenzon tek servisi i makinave – nëse ju shpenzoni 3,000 euro për riparimin e motorrit të makinës këtë muaj, PBB-ja e lexon këtë transaksion si pozitiv.
Ose në një shoqëri ku njerëzit sëmuret më shpesh nga ndotja apo stresi kostot mjekësore rriten, kështu edhe PBB-ja rritet. Por a janë njerëzit më mirë? Përshembull në 2012 shpenzimet shëndetësore për banorë ishin 354 dollarë sot janë rreth 760 dollarë .
Pra, rritja e PBB-ja tregon rritjet në xhirot e motorit ekonomik, por nuk na tregon se sa mirë funksionon ai, nëse po mbinxehet, apo nëse po shkatërron pjesët përbërse të tij më shpejt sesa mund t’i zëvendësojmë.
Gjithashtu PBB-ja lë jashtë matjes disa nga pjesët vërtet të rëndësishme të pasurisë reale të çdo shoqërie : ekosistemet e shëndetshme, ajrin dhe ujin e pastër, kohën me familjen, shëndetin mendor të qytetarëve , arsimin, biodiversitetin, besimin e komunitetit dhe sigurinë. Asnjë nga këto nuk llogaritet në PBB. Kur zvogëlojmë zonat e mbrojtura për resortet e Ivanka Trump, apo pakësojnë sipërfaqet e gjelbërta për të ndërtuar kulla e resorte PBB-ja rritet, por kjo lloj rritjeje e PBB-së mund të maskojë lehtësisht rëniet reale në mirëqenie, edhe në qëndrueshmëri .
Megjithëse Kryeministri vazhdon ta përdorë rritjen e PBB-në si tabelën e rezultateve të “Shqipërisë së Rilindur” , realiteti është shumë më me nuanca. PBB-ja mat vetëm lëvizjen ekonomike , jo drejtimin, jo cilësinë dhe padyshim jo qëndrueshmërinë . Ajo mbledh transaksionet, por nuk pyet se çfarë po fitojmë ose humbasim në këtë proces si shoqëri. Pra rritja e PBB-së është një instrument i dobët, ajo nuk është një matse e progresit por është një shpejtësimatës pa hartë.
Dy fakte të rritjes ekonomike pa transformim!
Indeksi i Kompleksitetit Ekonomik i hartuar nga ish këshilltari i Kryeministrit Ricardo Hausmann zbulon se rritja ekonomike e përjetuar në Shqipëri nuk ka nxitur transformimin . Prodhimi mbetet i ulët sipërfaqësor për më keq vitet e fundit në rënie të vazhdueshme. Integrimi i shqipërisë në zinxhirët globalë të vlerave është i përqendruar në segmente me vlerë të ulët me efekte shumë të kufizuara në krijimin edhe shpërndarjen e njohurive, edhe të vendeve të punës të mirëpaguara .
Në 2025, Shqipëria renditet në vendin e 75-të në Indeksin e Kompleksitetit Ekonomik (ECI), duke u pozicionuar në kategorinë nën mesatare përsa I përket kompleksitetin. Ekonomia jonë ka kompleksitetin më të ulët krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor si Serbia që renditet e 40-ta apo Bosnja që renditet Hercegovina e 37-ta. Eksportet shqiptare kanë cilësi dhe klasifikim teknologjik modest, duke reflektuar një nevojë urgjente për të përmirësuar bazën e eksportit.
Një fakt tjetër që ndoshta është shumë i komplikuar për ta shpjeguar Kryeministri që mburret me rritjen ekonomike pa transformim është zgjerimi i ofertës monetare dy herë më shumë se rritja ekonomike . Ky zgjerim mbivlerëson asetet kryesisht të pasurive të paluajtshme duke e kthyer ndërtimin jo një burim zhvillimi por një amortizator për të thithur ofertën e shtuar monetare .
Këto rreshta megjithëse duken se i drejtohen Kryeministrit nuk janë për të . Ti referohesh rritjes së PBB-së duke e zbrazur nga atë kuptimi e duke korruptuar me mite e gjysmë të vërteta është veçse një mënyrë për të justifikuar e mbuluar dëmin e madh që është shkaktuar .
Këto rreshta janë për publikun sepse siç thotë Gëte : “e vërteta duhet të përsëritet vazhdimisht, sepse kur gënjeshtrat predikohet gjatë gjithë kohës, kthehen në bindje për turmën”.







