Nga Klevis Bakillari
Propaganda ka funksionuar për vite në Shqipëri si një mjegull e dendur mbi vetëdijen qytetare. Çdo lëvizje që e gris këtë perde, është akt thuajse filozofik. Është përpjekje për ta rikthyer raportin midis të vërtetës dhe pushtetit. Përbrenda realitetit të deformuar,të aktruar, të stacionuar,Spiropali mes besnikërisë dhe reflektimit, mes sistemit dhe mundësisë për ta transformuar,po kërkon akoma provat e evolucionit demokratizues.
Spiropali s’është revolucionare klasike që përmbys strukturat nga jashtë, por një ndërgjegje që lind brenda vetë sistemit.Ështe një organizëm që e njeh mirë mekanikën e pushtetit, ritmin e tij, deformimet dhe justifikimet e tij. Kjo njohje e brendshme e bën të mundur një diagnozë më të pastër të patologjisë së korrupsionit.
Në diskursin publik sot,korrupsioni po trajtohet si një fenomen abstrakt, pothuajse metafizik, sikur të ishte një fat i pashmangshëm apo një fat i menaxhuar dhe jo një konstrukt i mirëmbajtur nga interesa konkrete. Reagimet Spiropalit s’kërkojnë asgjë më pak sesa
të zgjojnë receptorët e një elektorati që për vite është ushqyer me mesazhe të njëanshme e të filtruara, dhe se propaganda duhet të humbasë monopolin mbi narrativën.
Propaganda e ka mpirë reagimin kritik.Spiralet e Spiropalit brenda këtij sistemi, mund të funksionojnë si impulse elektrike në një trup të paralizuar. Nuk garantojnë shërim të menjëhershëm, por rikthejnë ndjeshmërinë,aftësinë për të dalluar, për të dyshuar, për të kërkuar llogari.
Në këtë turbullirë, Spuropali po tenton një formë të pastër e politikës: jo imponimi i një të vërtete të re, por krijimi i kushteve që e vërteta të kërkohet. Spiropali nuk ka qënë kurrë konformiste. Ka bërë kompromise vetëm kur i është dashur të luftojë fatalitete politike për vendin.
Dimensioni proeuropian i Spiropalit s’është vetëm orientim gjeopolitik;është një projekt edhe etik. Sepse Europa,s’është vetëm një destinacion, por një standard i transparencës,standard i përgjegjësisë, standard i ndarjes së pushteteve. Të jesh pro Europës në Shqipëri do të thotë të jesh kundër çdo forme kompromisi me korrupsionin, edhe kur ky kompromis është i kamufluar si stabilitet politik.
Sfida më e madhe për një figurë të tillë mbetet tensioni midis rolit dhe mundësisë. A mund të ndryshohet sistemi nga brenda pa u bërë pjesë e deformimeve të tij? A mund të ruhet pastërtia morale në një hapësirë ku kompromisi është shpesh monedhë këmbimi? Këto janë pyetje që nuk kërkojnë përgjigje të menjëhershme, por që e shoqërojnë çdo hap të spiraleve të Spuropalit.
Spiropali, figurë e re në moshë por me një përvojë të konsoliduar politike,që mbart energjinë e veçantë të premtimit që ende nuk është konsumuar. Spiropali ka potencialin të ndikojë në strukturën e debatit publik. Kur të arrihet të zhvendoset fokusi nga propaganda tek reflektimi, atëherë spiralja e saj nuk do të jetë vetëm lëvizje personale, por një transformim kolektiv.
Dhe në këtë dinamikë, mund të lindë ajo që politika shqiptare ka humbur prej kohësh: një ndjenjë e vërtetë e zgjimit.







