Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një mbledhje me kolegjin e kryetarëve, ku ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur qeverisjen e tij me korrupsionin dhe keqmenaxhimin e ekonomisë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha kritikoi deklaratat e kryeministrit për rritjen ekonomike, duke pretenduar se treguesit makroekonomikë nuk reflektojnë gjendjen reale të qytetarëve, të cilët sipas tij po përballen me varfëri të thelluar.
Ai ngriti akuza edhe ndaj familjarëve të kryeministrit, duke përmendur bashkëshorten e tij Linda Rama dhe baxhanakun Armand Frangu, duke pretenduar se fonde të mëdha publike përfundojnë në duart e tyre përmes tenderëve.
Sipas Berishës, përfitime të konsiderueshme janë realizuar, përfshirë edhe kontrata në fushën e inteligjencës artificiale, të cilat ai i cilësoi si jo transparente. Ai pretendoi se ndërsa të ardhurat shtohen në nivel shteti, qytetarët e zakonshëm, veçanërisht pensionistët, përfitojnë shumë pak.
“Rama shet mashtrime dhe injorancë kur përqindja e varfërisë prek gjysmën e popullsisë,” u shpreh Berisha, duke shtuar se sipas tij rritja ekonomike nuk shpërndahet në mënyrë të drejtë.







