Ballina Kulturë Një tjetër arritje – filmi “Dua” i regjisores Blerta Basholli me premierë...

Një tjetër arritje – filmi “Dua” i regjisores Blerta Basholli me premierë në Festivalin e Filmit në Kanë

93
0

Filmi “Dua” do të ketë premierën e saj botërore në kuadër të seksionit prestigjioz “Semaine de la Critique”, në Festivalin e Filmit në Kanë, duke shënuar një moment historik për kinematografinë kosovare.

Filmi me metrazh të gjatë vjen me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, e cila tashmë ka fituar vlerësime ndërkombëtare me filmin “Zgjoi”, duke e bërë emrin e saj një nga më të njohurit në skenën filmike evropiane.

Përzgjedhja e “Dua” në këtë seksion konsiderohet një arritje e jashtëzakonshme, pasi është hera e parë që një film nga Kosova bëhet pjesë e “Semaine de la Critique” – një platformë e njohur për promovimin e talenteve të rinj dhe filmave artistikë me potencial të madh.

Në këtë kategori konkurruese, “Dua” do të garojë për katër çmime kryesore, duke përfaqësuar jo vetëm suksesin individual të autores, por edhe një hap të rëndësishëm për industrinë e filmit në Kosovë.

Për këtë u bë një reagim edhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili ndau një mesazh mbështetës për këtë arritje të rëndësishme.

Postimi i plotë i Kurtit

“Filmi “Dua” me premierë botërore në Semaine de la CritiqueJemi jashtëzakonisht të lumtur që filmi me metrazh të gjatë “Dua”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, do të ketë premierën botërore në Semaine de la Critique, në kuadër të Festivalit të Filmit në Kanë.

Blerta tashmë na ka bërë krenarë të gjithëve me filmin “Zgjoi” dhe çmimet e shumta të fituara me atë film.

Kjo është hera e parë që një film kosovar përzgjidhet në Semaine de la Critique, një nga seksionet më prestigjioze dhe më kompetitive të festivalit, ku “Dua” do të garojë për katër çmime kryesore.

Filmi mbështetet nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Centre National du Cinéma et de l’Image Animée (CNC), Office Fédéral de la Culture, ARTE Cinema, Eurimages dhe SRF – Schweizer Radio und Fernsehen, Cineforom”.