Vazhdojnë ekskursionet në Bruksel të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, ndërsa shëndetësia në Shqipëri vazhdon të mbetet në kushte që shpesh për qytetarët duken skandaloze.
Në një tjetër aktivitet në Parlamentin Evropian, ministrja deklaroi se Shqipëria i konsideron vlerat evropiane të shëndetësisë një busull strategjike për reformat dhe zhvillimin e sistemit shëndetësor.
Sipas saj, objektivi është i qartë: çdo qytetar duhet të ketë akses real në shërbime shëndetësore cilësore, pa dallim vendbanimi apo statusi socio-ekonomik. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e reduktimit të pabarazive, forcimit të kujdesit parësor, investimit në parandalim dhe menaxhimit të sëmundjeve kronike.
Por ndërsa në Bruksel flitet për busulla strategjike dhe politika të bazuara në evidencë, për shumë qytetarë realiteti i shëndetësisë në Shqipëri është shumë më i thjeshtë për t’u kuptuar.
Në fakt, një europian nuk ka nevojë për Evis Salën që të kuptojë si është gjendja e spitaleve në Shqipëri. Mjafton të ketë një hall në QSUT./vna







