Ballina Kulturë Spielberg u rikthehet alienëve me ”Disclosure day”

Spielberg u rikthehet alienëve me ”Disclosure day”

76
0

Regjisori i njohur amerikan, Steven Spielberg ofroi një pamje të filmit të tij të ardhshëm ”Disclosure day”, filmi i tij i fundit artistik për jashtëtokësorët që kur e trajtoi për herë të parë këtë temë, 50 vjet më parë.

Gjiganti i kinematografisë e prezantoi filmin në ”CinemaCon” në Las Vegas, panairi tregtar i industrisë ku studiot zbulojnë shfaqjet e tyre të ardhshme për pronarët e kinemave.

”Disclosure day” përshkruan takimin midis njerëzimit dhe jetës jashtëtokësore, një skenar që të kujton filmin e tij të vitit 1977 “Close Encounters of the Third Kind”.

“Gjysmë shekulli më vonë, e realizova këtë film me një bindje shumë më të fortë se ka më shumë të vërtetë sesa trillim në këtë film”, i tha Steven Spielberg audiencës në ”Colosseum” në ”Caesars Palace”.

Në filmin “Disclosure Day”, i cili do të dalë më 12 qershor në Shtetet e Bashkuara, luajnë, ndër të tjerë, Emily Blunt, Josh O’Connor, Eve Henson dhe Colman Domingo.

“Ky film është një aventurë dhe e vetmja gjë që ju nevojitet për ta ndjekur nga fillimi deri në fund është një rrip sigurimi”, deklaroi regjisori 79-vjeçar.

Steven Spielberg rrëfeu se që nga fëmijëria është magjepsur nga “ajo që ndodh në qiellin e natës”.

“Unë vërtet besoj se ky film do të ofrojë përgjigje dhe do t’ju bëjë të bëni shumë pyetje”, vazhdoi ai.

Në ”CinemaCon”, regjisori fitues tre herë i çmimit Oscar mori një çmim nga Shoqata e Filmave, një organizatë tregtare amerikane që përfaqëson interesat e studiove të mëdha të Hollivudit.

Steven Spielberg foli gjithashtu për rëndësinë që ai u jep shfaqjeve të gjata në kinema, veçanërisht pasi platformat e transmetimit vazhdojnë të ulin të ardhurat nga biletaria.

“Jam veçanërisht i kënaqur që shoh që ‘Universal’ njoftoi së fundmi angazhimin e saj për një dritare kinemaje 45-ditore”, tha regjisori.