Ballina Politika Berisha nga protesta: Ja pse nuk mund të krahasohet Shqipëria me Hungarinë

Berisha nga protesta: Ja pse nuk mund të krahasohet Shqipëria me Hungarinë

63
0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur fjalën e tij në protestën e opozitës përpara Kryeministrisë, duke hedhur akuza të forta ndaj qeverisë dhe duke krahasuar situatën politike në Shqipëri me atë në Hungari.

Në fjalimin e tij, Berisha theksoi se ekziston një dallim thelbësor mes opozitës shqiptare dhe asaj hungareze, duke akuzuar mediat dhe, sipas tij, “mafinë e fjalës së lirë” për manipulim të opinionit publik.

“Ka një ndryshim thelbësor midis opozitës në Hungari dhe opozitës në Shqipëri, që nuk e përmend fare mafia e zezë e fjalës së lirë, e cila trillon, manipulon, mashtron 24 orë mbi 24 orë, shtatë ditë në javë, opinionin publik për të mbrojtur padrion e tyre, regjimin që i ushqen”, u shpreh Berisha.

Ai kritikoi krahasimet që, sipas tij, bëhen mes dy vendeve, duke i cilësuar ato të padrejta.

“Ata, për t’ju mashtruar, për t’ju dëshpëruar ju, krahasojnë të pakrahasueshmet”, tha ai.

Berisha solli disa shembuj konkretë, duke pretenduar se në Shqipëri janë shënuar zhvillime që, sipas tij, nuk ndodhin në vende të tjera europiane.

“Në Hungari nuk u arrestua ndonjëherë lideri i opozitës në vitin zgjedhor, siç ndodhi në Shqipëri dhe në Tunizinë e Zajedit. Nuk u mor vula dhe logoja e partisë kryesore opozitare me urdhër politik”, deklaroi ai.

Kreu i PD-së ngriti akuza edhe për manipulim të procesit zgjedhor dhe blerje vote.

“Në Hungari, qeveria nuk shpërndau 100 euro për çdo pensionist për të blerë votën në mes të fushatës elektorale, siç bëri Edi Rama në Shqipëri”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi gjithashtu se, sipas tij, në disa qytete të vendit vota është ndikuar nga grupe kriminale.

“Në qytetet e Hungarisë, votën e qytetarëve nuk e kontrolluan kartelet më të mëdha dhe më të rrezikshme në Europë të drogës, siç e kontrolluan ato votën në qytetet e Shqipërisë, në Durrës, Elbasan, Lushnje, Fier, Shkodër”, deklaroi Berisha.

Protesta e opozitës vijon përpara Kryeministrisë, ndërsa pritet që të mbahen edhe fjalime të tjera nga përfaqësues të Partisë Demokratike dhe aleatët e saj.