Është ndarë nga jeta Oscar Schmidt, një nga realizuesit më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë basketbolli.
Braziliani ka vdekur sot në moshën 68-vjeçare në Santana do Parnaíba, në zonën metropolitane të Sao Paulo.
“Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur, por ish-ylli i Juvecaserta Basket dhe Pallacanestro Pavia ishte prej kohësh i sëmurë me një tumor në tru”, ka shkruar gazeta italiane “La Gazzetta dello Sport”.
“Në një komunikatë, familja e Oscarit shprehu dhimbjen dhe kujtoi karrierën e tij. Homazhet dhe varrimi do të jenë të rezervuara vetëm për familjarët dhe miqtë më të afërt”, shkruan më tej.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Oscar Schmidt, një nga emrat më të mëdhenj në historinë e basketbollit botëror dhe një figurë me vlera të jashtëzakonshme njerëzore dhe sportive’, thuhet në komunikatë.
‘Për më shumë se 15 vjet, Oscar përballoi betejën e tij kundër tumorit në tru me guxim, dinjitet dhe qëndrueshmëri, duke mbetur një shembull i vendosmërisë, bujarisë dhe dashurisë për jetën”.
I njohur si “Mano Santa” dhe numri legjendar 14 i kombëtares braziliane, ai ishte një nga figurat kryesore që ndihmuan përhapjen e basketbollit në vendin e tij. Në pesë pjesëmarrje olimpike – Moska 1980, Los Angeles 1984, Seul 1988, Barcelona 1992 dhe Atlanta 1996, ai shënoi 1093 pikë, duke u bërë realizuesi më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e Lojërave Olimpike.
Ëndrra e Oscarit ishte të bëhej futbollist, por për shkak të gjatësisë së tij kaloi në basketboll. Në Brasília, ai nisi te Shkolla Salesiane nën drejtimin e trajnerit Zezao, më pas kaloi te klubi Unidade Vizinhança Club.
Në vitin 1974, në moshën 16-vjeçare, u transferua në Sao Paulo, ku nisi të luante me ekipin e të rinjve të Palmeiras Basketball.
Pasi u dallua, u ftua në kombëtaren e të rinjve të Brazilit dhe më pas në atë të të rriturve. Ai tërhoqi vëmendjen e trajnerit Claudio Mortari, i cili e mori te Sírio Basketball.
Në vitin 1979 fitoi Kampionatin Botëror për Klube të FIBA, trofeu i tij i parë i madh. Një vit më vonë mori pjesë në Lojërat Olimpike Moska 1980, ku Brazili u rendit në vendin e pestë.
Në vitin 1982 ishte menaxheri legjendar i Juvecaserta Basket, Giancarlo Sarti, ai që e solli në Itali, pas rekomandimit të trajnerit Bogdan Tanjeviq. Ishte një intuitë gjeniale, sepse në kampionatin italian Oscar u bë pothuajse i pandalshëm.
Mesatarja e tij në kampionatin italian ishte 34,6 pikë për ndeshje







