Ballina Aktualitet Abuzime me ndihmën ekonomike, raporti: Miliona lekë dëm, qindra raste përfitimesh në...

Abuzime me ndihmën ekonomike, raporti: Miliona lekë dëm, qindra raste përfitimesh në kundërshtim me ligjin

78
0

Skemat e mbrojtjes sociale në vend vijojnë të përballen me probleme të theksuara keq menaxhimi dhe përfitimesh të padrejta.

Raporti vjetor 2025 i Shërbimit social shtetëror vë në dukje se kontrollet në njësitë vendore kanë zbuluar dhjetëra raste abuzimi me fondet publike duke shkaktuar dëme ekonomike miliona lekësh dhe duke cenuar shpërndarjen e drejtë të ndihmës për njerëzit në nevojë.

“Për periudhën Janar- Dhjetor 2025, Drejtoritë Rajonale në 12 qarqe në zbatim të planit të Veprimit të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm kanë kryer në total 219 kontrolle për NE në njësi administrative. Gjithsej 219 kontrolle, ndër të cilat 45 kontrolle kanë qenë tematike dhe 174 kontrolle të plotë. Janë konstatuar 375 familje që kanë përfituar në kundërshtim me legjislacionin me dëm ekonomik 8.252.481 lekë dhe janë propozuar 72 masa administrative”, thotë Shërbimi Social Shtetëror.

Është qarku i Shkodrës i evidentuari si më problematiku me skemat e ndihmë ekonomike. Ku nga 375 përfitime në kundërshtim me ligjin 190 ishin vetëm në Shkodër. Pasuar nga Elbasani me 50 raste e Dibra dhe Kukësi me nga 42 raste, ku ky I fundit konsiderohet në raport si qarku më i varfër.

Këto të dhëna tregojnë se një pjesë e fondeve që duhet të shkonin për familjet në nevojë, kanë përfunduar tek përfitues të padrejtë.

Problemi nuk është vetëm tek qytetarët që abuzojnë me skemën, por edhe tek verifikimet në terren. Në disa raste, familje që nuk plotësojnë kriteret janë futur në ndihmë ekonomike për shkak të vlerësimeve të pasakta.

Raporti evidenton se ndër arsyet kryesore janë mosdeklarimi i të ardhurave dhe mospërputhja e gjendjes reale me atë të deklaruar nga përfituesit.

E ndërsa për vitin 2025 këtë masë e përfitonin rreth 43 mijë e 648 familje, vihet në pah se varësia nga kjo skemë e ndihmës ekonomike për ata të cilët e përfitonin sipas kritereve është e lartë, duke qëndruar rreth 5 vite si përfitues. Dhe duke zbehur qëllimin e saj jo si një masë mbështetëse për të dalë nga varfëria por si një mbijetesë.

Por problemet me abuzimet nuk ndalen këtu. Edhe në skemën e aftësisë së kufizuar janë zbuluar shkelje të konsiderueshme.

“Gjatë kontrolleve janë konstatuar 575 dosje PAK që kanë përfituar në kundërshtim me legjislacionin me dëm ekonomik 15.401.496 dhe janë propozuar 89 masa administrative (9 masa disiplinore dhe 80 masa shpërblim dëmi”, shton Shërbimi Social Shtetëror.

Nga kontrollet rezulton gjithashtu se në disa raste administratorët shoqërorë nuk kanë përshkruar saktë situatën social-ekonomike të familjeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në vendime të gabuara për përfitim.

Me miliona lekë dëm ekonomik të evidentuar vetëm gjatë një viti, raporti tregon qartë se skemat sociale mbeten të ekspozuara ndaj abuzimeve dhe kërkojnë kontroll më të fortë në çdo hallkë të sistemit.

PËRFITIMET E PADREJTA SIPAS QARQEVE

(Burimi: Shërbimi Social Shtetëror)

Shkodër                  190

Elbasan                      50

Kukës                        42

Dibër                          42

Durrës                        23

Berat                           19

Fier                               2

Gjirokastër                  2

Korçë                           1