Zyra e Jashtme britanike është zhveshur nga kompetenca për të anashkaluar vendimet e verifikimit të sigurisë, pas skandalit të emërimit të Peter Mandelson si ambasador në SHBA dhe lidhjeve të tij me Jeffrey Epstein. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Keir Starmer në një deklaratë në Parlament, ku pranoi edhe gabime personale në procesin e emërimit.
Starmer tha se ishte “e pabesueshme” që as ai dhe as ministrat e tjerë nuk ishin informuar se Mandelson fillimisht ishte refuzuar nga verifikimi i sigurisë. Ai shtoi se ka urdhëruar një hetim të plotë për çdo rrezik të mundshëm gjatë kohës që Mandelson shërbeu si ambasador në Uashington.
“E di që shumë deputetë do ta konsiderojnë këtë të pabesueshme,” deklaroi Starmer, duke akuzuar zyrtarët e Ministrisë së Jashtme se kanë mbajtur të fshehur informacionin nga nivelet më të larta të qeverisë.
Kryeministri pranoi gjithashtu se kishte bërë një gabim të rëndë në vetë emërimin e Mandelson. “Nuk duhej ta kisha emëruar Peter Mandelson,” tha ai prerë në Parlament.
“Para se të hyj në detaje, dua të jem shumë i qartë me këtë parlament se, ndërsa kjo deklaratë do të fokusohet te procesi i verifikimit dhe emërimit të Peter Mandelson, në thelb të kësaj çështjeje qëndron edhe një gjykim i gabuar nga ana ime,” tha ai. “Nuk duhej ta kisha emëruar Peter Mandelson”, shtoi ai sipas The Guardian.
Sipas tij, procesi i verifikimit është zhvilluar pas shpalljes së emërimit, ndërsa më 28 janar 2025, agjencia britanike e sigurisë rekomandoi që Mandelson të mos merrte autorizimin e plotë të sigurisë. Megjithatë, Ministria e Jashtme e anashkaloi këtë rekomandim, një praktikë që tashmë është ndaluar.
Starmer u shpreh i ashpër edhe ndaj mënyrës së trajtimit të informacionit brenda administratës, duke theksuar se ministrat duhej të ishin informuar menjëherë. “Nuk ka asnjë ligj që ndalon zyrtarët të sinjalizojnë rekomandime të tilla duke ruajtur konfidencialitetin,” shtoi ai.
Kryeministri britanik theksoi se, po ta kishte ditur më herët rekomandimin negativ të verifikimit, emërimi nuk do të ishte bërë kurrë.
“Sikur ta kisha ditur para se ai të merrte detyrën se rekomandimi i UKSV ishte që të mos i jepej autorizimi i plotë i sigurisë, nuk do të kisha vazhduar me emërimin”, tha ai,
Opozita konservatore e ka cilësuar çështjen si skandal serioz që shkon përtej etikës, duke ngritur dyshime edhe për sigurinë kombëtare dhe duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence.
Skandali ka thelluar përplasjet politike në Londër, ndërsa pritet që hetimi i urdhëruar nga Starmer të zbardhë përgjegjësitë e plota të rastit që ka tronditur administratën britanike.







