Kompania One Albania refuzoi të bashkëpunojë me policinë lidhur me hetimet për të zbuluar bazat me Call Centerave në Tiranë nga të cilat mashtroheshin qytetarët austriakë duke arritur ti vidhnin 50 mln euro.
E fakton vendimi i Gjykatës i publikuar në media ku rezulton se kompania One Albania nuk ka treguar kush përdorte IP-të në tre bazat e Call Center në Tiranë.
Në vendim shkruhet se Kompania One kishte argumentuar se IP ishin publike dhe nuk kishte kapacitete për të identifikuar adresat IP publike. Por ndryshe ndodh me kompanitë e tjetër të cilat kanë dhënë pa hezitim informacionin e kërkuar nga OPGJ-ja duke treguar për autoritetet e zbatimit të ligjit listën e klientëve.
Nga vendimi rezulton se policia është detyruar t’i dërgojë tre shkresa duke i vënë në dukje madje dhe përgjegjësinë penale.
E ndërsa përgjigjja e One Albania ka munguar me muaj, aktiviteti i paligjshëm i Call Center me anë të të cilit zhvatnin milionat e qytetarëve austriakë ka vijuar.
Por le të investigojmë më tej?
Drejtoria e Departamentit Ligjor dhe Privatësisë së të Dhënave në One Telecommunications sha, është drejtoria që ka përgjegjësinë për kordinimin e të gjitha çështjeve ligjore dhe zbatimin e legjislacionit dhe strategjive për mbrojtjen e të dhënave.
Pra kjo drejtori ka bllokuar informacionet hetimore të kërkuara nga prokuroria për vijimin e hetimeve për skandalin e Call Centerave.
Roli i bashëshortes së Ballës me 10 mijë euro pagë
Në krye është Iris Pekmezi, bashkëshortja e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ajo drejton Departamentit Ligjor dhe Privatësisë së të Dhënave në One Telecommunications sha, që prej vitit 2019.
Iris Pekmezi ka një pagë mujore prej 10 mijë euro në muaj. Ndërkohë vetëm për një vit, 2024, nga të dhënat e deklarimit të pasurisë zonja Pekmezi, Balla ka marrë mbi 13 milionë lekë.
I takon SPAK të hetojë rolin e bashkëshortes së Ballës në përpjekjet për të mos dhënë informacion që do të çonin në identifikimin e vendndodhjes së 3 call centerave. Ajo që investigimet e gazetarëve kanë zbuluar dhe është se industria e call center-ave në Shqipëri nga një sektor i promovuar për punësim nga qeveria Rama u transformua në skema mashtrimi me mbështetje të strukturave përfshi dhe të policisë. Madje gazetari Hoxha deklaronte se për çdo tavolinë pune paguheshinb tarifa mujore që variojnë nga 500 deri në 1500 euro, për të siguruar funksionimin e aktivitetit.
50 mln euro zhvatje
Ndërkohë autoritetet austriake nuk mund të ndaleshin nga kjo pengesë. Gazetari Elton Qyno zbuloi pak ditë më parë se paisja e gjurmimit “IMSI Catcher” ishte përdorur për të lokalizuar personat e përfshirë në trafikun e telefonatave online, me qëllim mashtrimin e qytetarëve Austriakë.
Por veç kësaj, dhjetëra IP-i interneti u zbuluan dhe më pas janë gjurmuar në terren, për të mësuar se kush ishin personat dhe subjektet përdoruese të tyre. Përmes këtyre IP-ve kryhej i gjithë mekanizmi kriminal dhe përfitues të vlerave financiare. Madje njëri Xhoel Mekolli nga Vranishti i Devollit, ishte me 2 IP ushtronte aktivitetin nga banesa e vjehrrit të tij në Tiranë, Artur Bishami si dhe nga kompania “Espiron Studio”, e Marsel Lamit.
Hetimet austriake në bashkëpunim me prokurorinë e Tiranës zbuluan skemën e mashtrimit me Call Centera të qindra qytetarëve austriakë që kishte arritur të zhvaste 50 milionë euro qytetarëve austriakë.
Hetimet zbuluan se mashtrimet janë bërë kryesisht ndaj qytetarëve austriak gjatë periudhës 15 qershor 2023 deri më 30 korrik 2024. Në vendimin e Gjykatës pasqyrohet se reklamat me personazhe të njohura ishin kryesisht pika e kontakteve të viktimave me aktivitetin. Prokuroria identifikoi se shtetasit Tedi Agastra dhe Mateo Hoxha gjatë vitit 2024 kanë marrë vlera të konsiderueshme në adresa Kripto dhe më pas i kanë transferuar në adresa të tjera Kripto.
Sipas informacionit të përcjellë nga autoritetet austriake përmes Oficerit të kontaktit më 14.01.2023, rrjeti i call centerave që po hetohet kishte lidhje me dy shtetas, të cilët dyshohet se kanë qenë përfitues fundorë të kriptovalutave të përfituara nga kjo skemë. Sipas këtij informacioni, bëhet fjalë për shtetasin Mateo Hoxha, i cili dyshohet se ka përfituar në total 3.217.957,71 USD, dhe shtetasin Tedi Agastra, i cili dyshohet se ka përfituar 4.811.154,08 USD
Shoqëritë tregtare përmes të cilave kamuflohej ky aktivitet kriminal ishin subjektet, “IOTA Netëork”, “Victory Communication”, “Espiron Studio”, “Zeta Studio”, “Upstream creative” dhe “Koppa Netëork”. Ato rezultojnë të lidhura me njëra-tjetrën si nga numri i telefonit i lënë në QKB, adresat e e-mailit dhe adresat e ushtrimit të aktiviteteve dhe në pjesën më të madhe dyshohet se janë fiktive dhe kanë operuar si call-center-a.
Të arrestuar
Aktualisht në arrest me burg janë Xhoel Mekolli, Eduard Dalla, Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra. Me masë sigurimi “Ndalim i daljes jashtë shtetit” është lënë dhe Aida Vokli, e cila rezulton të jetë bashkëshortja e Ledio Toçit, person ky i vendosur nën hetim nga prokuroria e Tiranës dhe aktualisht ndodhet në kërkim me masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ndërkohë, 5 u arrestuan në flagrancë: Kristjan Buda, Benard Bib, Kleidi Dyrma, Ema Taip, Eno Hana.
Në kërkim vijojnë të jenë Marsel Lami dhe Xhoni Hitaj./syri







