Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka reaguar ashpër ndaj nismës për transformimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, duke e cilësuar atë si një tjetër rast të “shkatërrimit të një institucioni publik funksional” dhe transferimit të kompetencave drejt Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).
Sipas Zhupës, përmes një ligji të ri, qeveria synon t’i delegojë një strukture me natyrë private funksione thelbësore shtetërore, si administrimi i provimeve, licencave dhe të dhënave personale, duke rrezikuar transparencën dhe sigurinë.
Ajo thekson se QSHA është një institucion vetëfinancues, ndërsa projekti i ri krijon privilegje për agjencinë e re, e cila, sipas saj, do të operojë jashtë kontrollit të plotë institucional dhe pa detyrime të njëjta llogaridhënieje. Zhupa e konsideron këtë proces si një precedent të rrezikshëm të zhvendosjes së pushtetit dhe financave publike drejt subjekteve private.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Shkatërrimi i radhës i një institucioni publik funksional: Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Ligji i dytë me porosi për AADF si dhurata e dytë e Kumbaros.
Pasi i dhuroi AADF-së ligjin për trashëgiminë kulturore, që merr me koncesion çdo pasuri që i vë syrin, sot po tenton t’i dorëzojë edhe shërbimet arsimore, përmes krijimit të një agjencie të re që në thelb i kalon kompetencat tek AADF. Është bërë e pamundur të dallosh ku fillon shteti dhe ku mbaron AADF, në çdo sektor ku ka qenë Kumbaro, shfaqet i njëjti model: ligje të qepura me porosi për të transferuar funksione dhe pasuri publike.
Dorëzimi i provimeve, licencave shtetërore dhe të dhënave personale tek një strukturë e tillë përbën një rrezik serioz për sigurinë, barazinë dhe transparencën. Këto nuk janë shërbime të zakonshme janë funksione thelbësore të shtetit. Kush është logjika ligjore që justifikon këtë delegim?!
Edhe më absurde bëhet kur analizon anën ekonomike. Justifikimi është se AADF do të investojë 5 milionë euro në 10 vite. Ndërkohë, vetë QSHA gjeneron rreth 1 milion euro në vit nga tarifat aktuale. Pra kemi një institucion që jo vetëm funksionon, por edhe vetëfinancohet. Atëherë pse duhet t’i jepet një privati, i cili do të ketë të drejtën të vendosë tarifa, të përdorë të ardhurat dhe njëkohësisht të përfitojë nga fondet publike? Ku është logjika ekonomike këtu?
Akoma më shqetësuese janë privilegjet që i jepen kësaj agjencie të re tashmë me natyrë private:
* nuk paguan taksa,
* nuk i nënshtrohet kontrollit të KLSH,
* dhe funksionon mbi bazën e një VKM-je, jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë parlamentar.
Kjo shitet si reformë por në fakt është zhvendosje e pushtetit dhe e parasë publike jashtë mekanizmave të llogaridhënies.
Po krijohet një precedent i rrezikshëm: funksione shtetërore strategjike, të financuara nga publiku, i kalojnë një strukture që nuk mban të njëjtat përgjegjësi transparence dhe kontrolli si institucionet publike.
Dhe kjo nuk është rastësi. Është e njëjta skemë e ndjekur me koncesionet në trashëgiminë kulturore: fillimisht patetizma si nuk po funksionon institucioni publik dhe i dorëzohet një aktori “privat” me status të privilegjuar, AADF-së.
Ky nuk është modernizim i shtetit. Është zhbërje e tij për interesa klienteliste. Një ligj skandaloz që duhet ndalur me çdo kusht.







