Ballina Sport Rashfordi dhe De Jongu në mesin e pesë yjeve që mund të...

Rashfordi dhe De Jongu në mesin e pesë yjeve që mund të largohet nga Barça

81
0

Barcelona po përgatitet për një riformatim të madh të skuadrës këtë verë, ku deri në pesë lojtarë të njohur mund të largohen nga “Camp Nou”, përfshirë Marcus Rashfordin dhe Frenkie de Jongun.

Pavarësisht dominimit në La Liga, klubi katalanas synon të balancojë financat dhe të rifreskojë skuadrën pas një tjetër eliminimi zhgënjyes nga Liga e Kampionëve, këtë herë nga Atletico Madridi.

Sipas raportimeve, trajneri Hansi Flick dhe drejtuesit e klubit kanë identifikuar pesë lojtarë që kanë “përfunduar ciklin” e tyre dhe pritet të largohen.

Lista përfshin emra me paga të larta dhe lojtarë me kontrata drejt fundit, si Rashfordi dhe De Jongu, por edhe Robert Lewandowski, Andreas Christenseni dhe talentin e akademisë Marc Casado.

Drejtuesit po synojnë të krijojnë hapësirë financiare për stabilitet afatgjatë.

De Jongu, i cili fiton rreth 400,000 euro në javë, konsiderohet një nga kandidatët kryesorë për shitje për të ulur barrën e pagave.

Ndërkohë, situata e Rashfordit është e ndërlikuar.

Sulmuesi i huazuar nga Manchester Unitedi ka realizuar 12 gola dhe 13 asistime, por Barcelona nuk është e gatshme të paguajë klauzolën prej 26 milionë paundësh për transferimin e tij përfundimtar.

Klubi anglez nuk pranon ulje të çmimit, ndërsa kjo klauzolë skadon më 15 qershor, vetëm katër ditë pas fillimit të Botërorit në Amerikën e Veriut.

Për këtë arsye, gjithçka tregon se Rashfordi do të rikthehet në “Old Trafford”, ku e ardhmja e tij mbetet e pasigurt.