Ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me aktgjykimin për rastin e Liridona Ademajt, duke theksuar se drejtësia ka folur qartë
“Sot drejtësia foli me zë të qartë dhe të prerë. Fatkeqësisht, asnjë aktgjykim nuk e kthen kohën prapa dhe nuk e kthen Liridonën në jetë”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka nënvizuar se vendimi riafirmon një parim themelor. “Çdo cenim i jetës së grave kërkon përgjigjen më të fortë të drejtësisë. Ky vendim është një mesazh i qartë se dhuna ndaj grave nuk mund të relativizohet as të tolerohet”.
Sipas saj, ky nuk është fundi. “Është shtytja e domosdoshme që jetët e grave të mbrohen dhe çdo rast dhune të merret seriozisht e të trajtohet në kohë”.
Osmani ka shtuar se në një ditë si kjo, mendjet janë me familjen e Liridonës dhe me familjet e të gjitha grave dhe vajzave që kanë humbur jetën si pasojë e femicidit.
“Për Liridonën. Për çdo grua që nuk arriti të mbijetojë. Dhe për çdo vajzë që meriton të rritet e lirë dhe pa frikë, drejtësia do të jetë përgjigja përherë, ndërsa parandalimi, mbështetja dhe fuqizimi do të jenë angazhimi ynë i përditshëm”, ka përfunduar ajo.







