Ballina Bota Festivali përfundon në tragjedi/ Shpërthimi i fishekzjarrëve lë 10 të vdekur dhe...

Festivali përfundon në tragjedi/ Shpërthimi i fishekzjarrëve lë 10 të vdekur dhe 60 të plagosur në Meksikë

54
0

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe rreth 60 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm të fishekzjarreve gjatë një festivali tradicional në Meksikën qendrore.

Ngjarja ndodhi në Santa Maria Canchesda, në komunën e Temascalcingos, gjatë një rituali lokal ku pjesëmarrësit mbanin një figurë demi prej kashte, nga e cila shpërthenin fishekzjarre.

Sipas raportimeve, figura e demit prej kashte shkaktoi ndezjen e një sasie më të madhe fishekzjarresh që ishte ruajtur pranë kishës së fshatit. Shpërthimi i fuqishëm rrëzoi mure dhe shkaktoi një zjarr në sheshin e qytetit, ndërsa disa persona dyshohet se mbetën të bllokuar nën rrënoja.

Mes të plagosurve janë edhe dy priftërinj, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Dioqeza e Atlacomulcos shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe solidaritet me të gjithë të plagosurit.

Prokuroria ka nisur një hetim për të përcaktuar shkakun e shpërthimit. Autoritetet nuk kanë përcaktuar ende nëse ngjarja ishte aksidentale apo nëse kishte probleme me mënyrën e ruajtjes dhe përdorimit të fishekzjarreve.

Shpërthimet e fishekzjarreve kanë shkaktuar viktima edhe më parë në Meksikë. Në vitin 2018, një shpërthim në një fabrikë fishekzjarresh në Tultepec vrau 24 persona, ndërsa dy vite më herët, një tjetër shpërthim në një treg të qytetit shkaktoi 42 viktima.