Ballina Bota Skandal në SHBA/ Senatorja në Virxhinia përballet me akuza për trafik droge...

Skandal në SHBA/ Senatorja në Virxhinia përballet me akuza për trafik droge dhe pastrim parash

45
0

Autoritetet federale në SHBA kanë ngritur akuza ndaj senatores së shtetit të Virxhinias, Louise Lucas, për rolin e saj drejtues në një organizatë kriminale që siguronte dhe shpërndante sasi të mëdha marihuane, si dhe pastronte të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari.

Së bashku me Lucas janë akuzuar edhe gjashtë persona të tjerë, disa prej të cilëve janë të afërm të saj, raporton Associated Press.

Lucas iu dorëzua autoriteteve, bëri të ditur një përfaqësues i Departamentit të Drejtësisë.

Akuzat u ngritën pas një hetimi të FBI-së, e cila në muajin maj kreu kontrolle në zyrën e Lucas në qytetin e saj të lindjes, si dhe në një dyqan kanabisi ku ajo zotëron një pjesë të aksioneve. Në momentin e kontrollit, Lucas e cilësoi këtë veprim si një “përpjekje për intimidim”.

Duke komentuar akuzat ndaj saj, një avokat i ekipit të saj ligjor deklaroi se “ky është cirku që gjithmonë prisnim të ishte”.

82-vjeçarja Lucas është një nga figurat më të fuqishme të Partisë Demokratike në Virxhinia dhe një kritike e ashpër e presidentit Donald Trump.

Ajo është anëtare e Senatit të Virxhinias që prej vitit 1992 dhe aktualisht mban postin e presidentes së përkohshme, duke drejtuar Senatin në mungesë të zëvendësguvernatorit. Ajo gjithashtu drejton Komisionin e fuqishëm të Financave të Senatit, ku duhet të kalojë çdo projektligj që ka ndikim në buxhet.

Associated Press thekson se Lucas e ka përdorur pozicionin e saj për të bllokuar dhe, në fund, për të rrëzuar nisma ligjore me të cilat nuk ishte dakord.

Kreu i FBI-së, Kash Patel, deklaroi në një njoftim se, sipas akuzave, “Lucas dhe një grup i ngushtë familjarësh dhe bashkëpunëtorësh organizuan një skemë shumëvjeçare me qëllim pasurimin e aktivitetit të tyre kriminal të tregtimit të marihuanës, të quajtur ‘Lucas Enterprise’”.

Sipas tij, ata shfrytëzuan pozicionin e Lucas si drejtuese e Komisionit të Financave dhe Shpenzimeve Publike të Senatit për ta mbrojtur aktivitetin nga hetimet penale dhe për të ndikuar në legjislacion në favor të interesave të tyre.

Lucas është një mbështetëse e zjarrtë e legalizimit të marihuanës dhe mori pjesë në themelimin e dyqanit “The Cannabis Outlet” në vitin 2021, i cili shet produkte kanabisi dhe CBD.

Megjithëse posedimi i marihuanës është i ligjshëm në Virxhinia, shitja me pakicë e kësaj substance për përdorim rekreativ nuk ka nisur ende. Megjithatë, dyqane në të gjithë shtetin shesin produkte të tjera që rrjedhin nga bima e kanabisit.

Lucas foli publikisht për pjesën e saj të pronësisë në këtë dyqan vetëm në muajin qershor, ndonëse në deklaratat e saj më të fundit të pasurisë nuk përmendet emri i biznesit.