Ballina Aktualitet Të gjithë në shesh në orën 11:00/ Studentët dhe BSPSH-ja paralajmërojnë protestë...

Të gjithë në shesh në orën 11:00/ Studentët dhe BSPSH-ja paralajmërojnë protestë të shtunën para Kryeministrisë

120
0

Të shtunën e 24 tetorit pritet të zhvillohet një tjetër protestë studentore përpara godinës së Kryeministrisë. Përmes një thirrjeje publike të shpërndarë në rrjetet sociale, qytetarët ftohen të mblidhen në shesh në orën 11:00.

Në njoftimin e shpërndarë, me slloganin “Të shtunën, të gjithë në shesh!”, bëhet me dije se vendtakimi do të jetë përpara godinës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjithashtu theksohet se kjo protestë do të jetë rinore, popullore dhe e diasporës.

Prej 10 ditës studentë, gjimnazistë dhe të rinj po protestojnë në rrugët e Tiranës teksa kanë refuzuar dialogun me kryeministrin Edi Rama. Ata kanë bërë thirrje për dorëheqjen e tij.

Këtë protestë e ka paralajmëruar edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqiperisë.

DEKLARATA E BASHKIMI I SINDIKATAVE TË PAVARURA TË SHQIPËRISE:

PROTESTO DHE TI NË DATË 24 TETOR ora 11.00!
BASHKOHU DHE TI ME ZËRIN E STUDENTËVE!
Me RININË DERI NË FUND

Deklaratë e Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqiperisë-BSPSH në mbështetje të Protestës së Studentëve në datën 24 Tetor 2026, ora 11 përballë Kryeministrisë.

Në mbështetje të protestës së Studentëve, BSPSH i bën thirrje të gjitha strukturave të saj në çdo rreth apo rajon të Shqipërisë të marrin pjesë masivisht në protestë në mbështetje të kauzës së Studentëve, në datën 24 Tetor 2026 , ora 11 përballë Kryeministrisë.

BSPSH i bën thirrje të gjithë punëtorëve në sektorin privat apo publik t’i bashkohen zërit të studentëve në protestën kombëtare.

BSPSH i bën thirrje të gjitha federatave të saj të bashkohen me protestën e studentëve.

BSPSH i bën thirrje të gjithë qytetarëve Shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë, shqiptarëve të diasporës të solidarizohemi dhe t’i bashkohemi zërit të të rinjve Shqiptarë në protestën kombëtare.