Ballina Aktualitet Tenderi 15 mln euro për avionët e zjarrit/ Qeveria shpall fituese kompaninë...

Tenderi 15 mln euro për avionët e zjarrit/ Qeveria shpall fituese kompaninë e dënuar për korrupsion në BE

140
0

Qeveria shqiptare do të blejë tre avionë për shuarjen e zjarreve nga një kompani, e cila është dënuar për korrupsion në vendet e Bashkimit Europian.

Ndonëse tenderi 15 milionë euro i zhvilluar nga ministria e Mbrojtjes është klasifikuar në shkallën më të lartë të konfidencialitetit, Kapitali ka siguruar dokumenta zyrtarë që hedhin dyshime për një skandal të madh.

Tenderi 15 mln euro për avionët e zjarrit/ Qeveria shpall fituese

Tenderi sekret

Kompania e shpallur fituese, e cila do të dorëzojë tre avionët dhe që do të ofrojë shërbimin e mirëmbajtjes së tyre për tre vjet quhet Air Tractor SRL. Kjo është një kompani spanjolle, e cila ka të drejtën e tregtimit të avionëve amerikanë Air Tractor në Europë.

Por ka një problem. Ajo është e dënuar nga Gjykata spanjolle për korrupsion, fiksim tenderash dhe kartel për më shumë se 20 vjet në manipulimin e tenderave për avionët e zjarreve, në atë që njihet ndryshe si karteli i Zjarrit. Një veprimtari që sipas Gjykatës, vetëm në Spanjë ka shkaktuar dëm korruptiv mbi 150 milionë euro.

Dënimi
Air Tractor Europe zotërohet nga një shtetas spanjoll i quajtur Vincente Huerta. Ky person zotëron një grup të madh kompanish, direkt ose indirekt, të cilat kanë ndryshuar shpesh emrat pas skandaleve të shumta. Por dora që i kontrollon ato mbetet gjithmonë e njëjta; Huerta.

Më parë, Air Tractor është quajtur Avialsa-T. Por pas një skandali korruptiv në vitin 2014, kompania vendosi të ndryshojë anëtarët e bordit si edhe emrin e saj duke e bërë Air Tractpr Europe SRL. Megjithatë praktikat e paligjshme nuk u ndalën, pavarësisht ndërrimit të lëkurës.

Në shkurt të vitit të kaluar Gjykata Kombëtare Kriminale e Spanjës dha vendimin e parë për një nga çështjet më të bujshme të korrupsionit në Spanjë.

Bëhet fjalë për një veprimtari kriminale në manipulimin e tenderave për blerjen e avionëve të zjarrit, e cila sipas dokumentave gjyqësore ka në qendër të saj grupin e kompanive Air Tractor Europa dhe ka zgjatur për më shumë se 20 vjet.

Tenderi 15 mln euro për avionët e zjarrit/ Qeveria shpall fituese

Denimi nga gjykata spanjolle

Prokuroria e Spanjës paraqiti dokumenta se ky rreth kompanish ka fiksuar tenderat e blerjes së avionëve, jo vetëm në Spanjë, por edhe në shumë vende të tjera të Europës përfshirë Italinë, Portugalinë, Francë dhe së fundmi edhe Qipron.

Për rrjedhojë gjykata vendosi të dënojë me burg ish drejtuesit e kompanive si dhe të ndalojë Air Tractor, dhe Titan Firefighting (po kompani e grupit) nga e drejta për të marrë pjesë në tendera për 9 muaj.

Tenderi 15 mln euro për avionët e zjarrit/ Qeveria shpall fituese

I vetmi drejtues që u shpall i pafalshëm ishte Francisco Alandia, i cili bashkëpunoi me drejtësinë duke u treguar autoriteteve të gjithë veprimtarinë e paligjshme të kompanive. çështja është apeluar dhe ky proçes vazhdon ende në shkallët më të larta.

Gjykata supreme e Greqisë
Në vitin 2024, Ministria greke e Mbrojtjes Civile hapi një tender prej 154.8 milionë eurosh për të blerë 25 avionë për fikjen e zjarreve. Në tender morën pjesën sërish dy kompanitë, EFA dhe Air Tractor. Qeveria greke shpalli fitues Air Tractor. Por proçesi u ankimua dhe u zyrtarizua vetëm në maj të vitit të kaluar.

Proçedura standarde e tenderave në Bashkimin Europian u kërkon kompanive të plotësojnë një formular, që ndryshe njihet si deklarata solemne, ku të deklarojnë se nuk kanë shkaqe për përjashtim nga tenderat, pra praktikisht që nuk kanë dënime nga gjykatat.

Air Tractor dhe Titan e dorëzuan deklaratën në qershor të 2025 duke deklaruar solemnisht se asnjëra prej tyre nuk ishte e dënuar dhe nuk kishin shkaqe për përjashtim. Por rivali i tyre, pra kompania greke EFA dorëzoi në ministri vendimin e gjykatës spanjolle të shkurtit 2025, ku si Air Tractor ashtu edhe Titan ishin dënuar.

Cështja hyri sërish në proçes gjyqësor dhe në mars të këtij viti, Gjykata Supreme e Greqisë e shpalli të papranueshme ofertën e Air Tractor Europa duke anulluar tenderin.

Tenderi 15 mln euro për avionët e zjarrit/ Qeveria shpall fituese

Vendimi i gjykates supreme greke

Praktikisht ky vendim e bën të pamundur që kompania të hyjë në tenderat publikë të Bashkimit Europian.

Dy dekada dënimesh dhe mashtrime
Pronari real i Air Tractor Europa është një shtetas spanjoll që quhet Vincente Huerta. Aktualisht Huerta ka disa dënime në një sërë proçesesh në gjykatat spanjolle për çështjen e fiksimit të tenderave, falsifikimit të dokumentave dhe dhënies së rryshfetit.

Për çështjen e kartelit të zjarrit, Huerta është dënuar me tre vjet e gjysmë burg. Për këtë vepër fillimisht ai u përball me një dënim prej 25 vjetësh.

Në atë kohë Huerta u gjykua së bashku me ish-Ministrin e Brendshëm të Valencias, Serafín Castellano, të cilin Huerta e korruptoi me dhurata me vlerë 167,177.02 €. Marrëveshja e tyre e pranimit të fajësisë me Zyrën e Prokurorit, në këmbim të dënimeve të reduktuara, përfshinte një pagesë të përbashkët prej afërsisht 904,000 € në kompensim për administratat publike të prekura.

Më parë, Huertës iu desh të paguante gjithashtu një gjobë prej rreth 649,800 € pasi pranoi në vitin 2023 para Gjykatës Penale Nr. 4 të Valencias se kishte mashtruar autoritetet tatimore nga viti 2009 deri në vitin 2014 (duke përjashtuar vitin 2013) përmes disa prej kompanive të tij dhe në tatimin mbi të ardhurat personale, duke kryer nëntë vepra penale kundër Thesarit Publik dhe një akuzë për falsifikim dokumentesh.

Gjithashtu në vitin 2020, së bashku me tre të pandehur të tjerë, ai pranoi një krim për negociata të ndaluara dhe parregullsi në projektin e aerodromit Viver dhe pagoi një gjobë prej 900 eurosh që e pengoi të mbante gjyqin e parë të çështjes Avialsa.

Por proçesi më i bujshëm ndaj tij është duke u zhvilluar. Prokuroria Antikorrupsion kërkon tani 7 vjet të tjera burg për të, për veprat penale ‘të vazhdueshme’ të korrupsionit pasiv dhe falsifikimit të dokumenteve tregtare dhe private.

Tenderi 15 mln euro për avionët e zjarrit/ Qeveria shpall fituese

Këto raste të fundit dyshohet se lidhen me projektet e zhvillimit urban të kryera në Quartell dhe Alfara de la Baronia, ku Huerta ka korruptuar ish kryetarin e Bashkisë dhe zëvendësin e tij për të marrë kontrata publike.