Nga Desada Metaj
Besfort Lamallari është prej pak kohësh ministër i Brendshëm. Ai vjen pas një karriere të gjatë si zëvendësministër i Brendshëm dhe, për hir të së vërtetës, ka ruajtur profilin teknik të një funksionari të ri, të paperlyer nga zullumet e politikës shqiptare.
Por në pak muaj duket se zoti Lamallari ka ndryshuar qasje dhe qëndrim. Arsyet i di vetë ai, por daljet e tij publike po ngjajnë gjithnjë e më shumë me propagandën e dobët të Rilindjes Socialiste.
Pasi debatoi me gazetarët për çështjen e protestave dhe rolin e Policisë së Shtetit, së fundmi ministri ka marrë përsipër të shfaqet edhe si “Spiderman”, duke publikuar pamje nga shuarja e zjarreve që kanë përfshirë vendin. Është një punë që meriton vlerësim dhe askush nuk e vë në diskutim sakrificën e efektivëve të Policisë së Shtetit, zjarrfikësve apo forcave të tjera të angazhuara në terren. Por ka shumë pak gjasa që kjo të jetë detyra kryesore e ministrit të Brendshëm.
Në një intervistë televizive të dhënë sot, zoti Lamallari foli gjatë për punën e forcave të rendit dhe zjarrfikësve në përballimin e flakëve, si edhe për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Një sezon që vetëm dy ditë më parë u trondit nga krismat e armëve në një jaht pranë bregut të Palasës, në zonën që konsiderohet vitrina e turizmit shqiptar.
Pavarësisht se policia ndoqi për disa orë personat e dyshuar, ngjarja nuk do të bëhej publike nëse nuk do të ishte raportuar nga media. Policia nuk publikoi asnjë njoftim zyrtar, ndërsa deri më sot nuk ka asnjë shpjegim për arsyet e kësaj heshtjeje.
Edhe më e çuditshme është se ministri i Brendshëm, në intervistën e tij televizive, jo vetëm që nuk u pyet për këtë ngjarje, por as nuk e përmendi atë. Më pas, një koment i një qytetareje në rrjetet sociale, ku ishte publikuar linku i raportimit të VNA mbi ngjarjen, u fshi nga faqja e ministrit.
Vështirë të besohet se një ministër i Brendshëm merret personalisht me seleksionimin e komenteve në Facebook. Më e besueshme është që këtë ta ketë bërë stafi i tij, me qëllimin që ministri të mos “shqetësohet” nga një ngjarje e rëndë, e cila jo vetëm u mbajt e fshehtë nga Policia e Shtetit, por vijon të mbetet pa autorë të identifikuar, ndërsa personat e dyshuar janë lënë të lirë.
I nderuar zoti ministër, jeni ende shumë i ri për të rënë në kurthin e vjetër të mbulimit të ngjarjeve të rënda. Nga përvoja juaj në Ministrinë e Brendshme duhet ta dini se fshehja e një ngjarjeje të tillë, nëse nuk ka prapavijë politike, të paktën ngre dyshime për një prapavijë kriminale.
Nëse sot përpiqeni të fshini, të mbuloni apo të zhdukni gjurmët e një raportimi të saktë mediatik, si mund të presin qytetarët që nesër të besojnë se do të kapni autorët e krimit apo personat në kërkim?
Me këtë logjikë, nuk do të ishte çudi që edhe ata që kërkohen nga SPAK t’i mësoni nga mediat se ku ndodhen, ndërkohë që ju dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit vazhdoni t’i kërkoni në qiell, kur në fakt mund të jenë shumë më pranë sesa mendoni.







