Dy turistë gjermanë kanë lëshuar sinjalin SOS, pasi kanë mbetur të bllokuar në malin e Çikës
Sipas informacioneve paraprake të siguruara nga mediat dyshohet se ata kanë humbur orientimin gjatë ecjes në terrenin e vështirë malor, ndërsa njëri prej tyre mund të jetë dëmtuar ose të ketë pësuar probleme shëndetësore.
Menjëherë pas marrjes së sinjalit është organizuar operacioni i kërkim-shpëtimit. Drejt zonës janë nisur efektivët e forcës speciale Delta Force, shërbimet e Policisë së Vlorës, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, për t’u ardhur në ndihmë dy turistëve.
Gjithashtu është njoftuar edhe një helikopter, i cili do të përdoret nëse kushtet e terrenit dhe situata e turistëve e bëjnë të nevojshëm transportin ajror.
Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon, ndërsa priten informacione të tjera për gjendjen e dy turistëve dhe ecurinë e ndërhyrjes.
Ky është rasti i pestë në vetëm dy muaj ku turistë të huaj mbesin të bllokuar, humbasin rrugën, apo lëndohen gjatë eksplorimit të kësaj zone.







